Policia e Vlorës tha se “Sektori Antidrogë në bashkëpunim edhe me forcat e rendit po kryejnë një aksion për zbulimin e parcelave që janë mbjellë me bimë narkotike kanabis sativa, shkatërrimin e saj, si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të kultivimit”.
Helikopteri i Ministrisë së Brendshme, patrullon prej dy ditësh, në një distancë shumë afër tokës me qëllim që të fotografojë zonat e dyshimta. Në vendet e konstatuara të mbjella me bimën, mbërrijnë efektivët e Antidrogës dhe inspektorët e policisë për të verifikuar dhe asgjësuar bimën.
“Kontrolle të imtësishme për zbulimin e parcelave të kanabis sativës janë kryer kryesisht në fshatrat e lumit të Vlorës, në zona të tjera më të largëta të rrethit, por edhe të Sarandës’’, tha policia e Vlorës dhe theksoi se ‘’nga helikopteri janë kontrolluar dhe fotografuar edhe zona të dyshuara në brendësi të qytetit”.
Verifikimet u bënë edhe në terrene shumë të vështira, në të cilat dyshohej se ishte mbjellë kanabis, nisur edhe nga informacionet e siguruara më parë në rrugë operative apo nga sinjalizimet e banorëve, citoi Panorama.
Dy parcela të mbjella me bimë narkotike, u zbuluan nga kontrollet e deritanishme, njëra në malin e Shashicës, dhe tjetra në zonën e fshatit Mavrovë. Policia asgjësoi lëndën narkotike, por aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, pasi janë edhe shumë zona të tjera që nuk janë survejuar. Në muajin gusht dhe shtator, është sezoni i korrjes së bimëve të mbjella, ndaj policia ndërmori këtë aksion për t’i asgjësuar ato para se autorët t’i kenë kultivuar.
Helikopterët e Ministrisë së Brendshme po kontrollojnë nga ajri edhe në rrethe të tjera të vendit, në fshatra që rezultojnë në hartën e zonave problematike. Pak kohë më parë u krye verifikim në zonën e Gjirokastrës, kryesisht mbi Lazarat, por edhe në terrene të thyera të Beratit. /Telegrafi/