Site icon Telegrafi

Antidoti “Aleanca e Teatrit”

Gentian Gaba

Ditën e mërkurë, pas një beteje 15-orëshe për të marrë në mbrojtje godinën e Teatrit, Aleanca që drejton protestën kundër shembjes dhe grabitjes së truallit publik, ka krijuar një moment të ri politik në vend.

Përballja alla Davidi dhe Goliati, në të cilën artistët, aktivistët dhe qytetarët sfiduan partinë-shtet, u ndoq nga një marrëveshje midis Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partisë Demokratike.

Përtej premtimeve dinjitoze për të ardhmen e Teatrit dhe artistëve (të gjithëve, jo vetëm të atyre që sot po e mbrojnë atë godinë), marrëveshja sanksionon një pakt të ri për ndryshime rrënjësore në funksion të demokratizimit të jetës politike. Një hapje e domosdoshme dhe e pashmangshme për të futur në sistemin politik të gjithë ata qytetarë të zhgënjyer që, duke mos marrë pjesë në zgjedhje, ‘mandatet’ i kanë djegur shumë kohë më parë se opozita shqiptare.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua në sallën e çliruar të Teatrit Kombëtar, është një ogur i mirë që shpërblen rezistencën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe, njëkohësisht, shërben si një antimodel përballë një mazhorance që është treguar e paskrupullt dhe e pamoralshme në aleancat e saj.

Në vitin 2013, nëpërmjet ‘Aleancës së Qelbësirave’, u siglua ujdia faustiane e kryeministrit aktual me ‘djajtë’. Rama nxori nga nënbota e errët e krimit shqiptar, që asnjëherë nuk ka qenë i paktë, gjithë mujsharët që i duheshin për të fituar godinën më të lakmuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kësodore, sikurse ndodh për aleancat parazgjedhore, edhe pakti me kriminelët u shndërrua në një aleancë qeverisëse. Secilit copën e tij, madje edhe me përfaqësim të drejtpërdrejtë në Parlament, bashki dhe këshilla bashkiakë. Ligji i dekriminalizimit është një provë për këtë pakt që ende vuajmë.

Sigurisht që edhe opozita aktuale mund të përdorte të njëjtën strategji. Por, ky ‘dhëmb për dhëmb’, nuk do të kishte prodhuar asnjë ndryshim, vetëm një spirale dhune nga e cila humbësit e mëdhenj do të ishin qytetarët.

U zgjodh një rrugë alternative. Hapja e opozitës dhe opozitarizmi si një dimension politik që tejkalon partitë.

Për këtë arsye, ‘aleanca’ e nënshkruar midis artistëve dhe Partisë Demokratike vjen pikërisht si një antidot kundër aleancës famëkeqe të vitit 2013.

Një aleancë vlerash me të cilën qelbësirave të mazhorancës u përgjigjen artistët opozitarë; shembjes dhe vjedhjes së Teatrit Kombëtar, me restaurimin e tij; ligjeve speciale me pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, realizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve mbi çështje të interesit publik e kështu me radhë.

Sigurisht kjo ‘dallëndyshe’ nuk mjafton për të sjellë një stinë të re. Megjithatë, kjo marrëveshje, ky moment, ajo mësymje qytetare në mbrojtje të një vlere absolute të kulturës kombëtare, solidarizimi me të rrethuarit nga policia, nga brenda dhe jashtë vendit, na mësojnë se një hap besimi ndërmjet palëve ishte i domosdoshëm. Nëse do të rezultojë fitues, partitë do të reflektojnë ndjeshmëritë e shoqërisë dhe jo anasjelltas.

Një revolucion kopernikan për politikën e këtij tranzicioni të lodhur dhe të lodhshëm, që ndoshta ka filluar të mbarojë. /Mapo/

Exit mobile version