1.
Sulmet e para terroriste kundër institucioneve amerikane në Greqi datojnë shumë herët, që në një të katërtën e parë të shekullit të kaluar. Pastaj kjo merr hov për shkak të pozicionimit amerikan në konfliktin qipriot, kur, atëbotë, u dogjën flamuj amerikanë, ndërsa më 1957 u sulmua me bombë biblioteka amerikane në Athinë. Përgjegjësinë për këtë e pati marrë “Organizata Greke për Pavarësi”, qëllimi parësor i së cilës ka qenë “çlirimi i vendit nga tutela e të huajve“. Atentatorët ishin grekë-qipriotë, luftëtarë për bashkimin e Qipros me Greqinë.
Në sulmet terroriste kundër institucioneve amerikane kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Armatës Greke, dhe një ndër ideatorët dhe antiamerikanët më te zëshëm në Greqi atëbotë ka qenë ish-kryeministri grek i viteve 1990-93 Konstantin Micotakis, i cili ka qenë ndër prijësit e gjithë fushatës antiamerikane të asaj kohe. Shkasi: mospërkrahja amerikane çështjes qipriote.
Kjo është “mirënjohja greke“ ndaj amerikanëve, të cilët, në kohët e varfërisë së skajshme në Greqi kishin bërë strehë për afër gjysmë milioni grekë, të cilët vuanin urie. Pas Luftës së Dytë Botërore falë doktrinës së Truman-it, më 1952, si Greqia ashtu edhe Turqia u shpëtuan nga çdo tentativë komuniste e kohës. Madje, Truman pledonte për obligimin moral që kishin SHBA-të ndaj Greqisë: nuk ka asnjë alternativë tjetër për Greqinë, pos demokracisë.
Por, si shumëkund, edhe në Greqi antiamerikanizmi përzihet edhe me antisemitizim. Edhe një poet i madh grek i fillimshekullit të kaluar, Kostas Karjotakis, kishte derdhur vrerin e tij, qysh më 1927, kundër SHBA-ve, duke vargjëruar tendencën e tij se gjoja amerikanët gjithçka bëjnë për dollarin dhe hebreun.
2.
Nga aspekti ideologjik, e majta ekstreme në Greqi nuk është (siç do të mund të supozohej logjikshëm) bartësi i vetëm i antiamerikanizmit në atë vend. Me të njëjtin intensitet, edhe e djathta nacionaliste dhe një pjesë e madhe e klerit kultivon këtë frymë armiqësore ndaj çdo gjëje që vjen nga Amerika.
Për dallim nga vendet tjera, në Greqi antiamerikanizmi ka natyrë psikoneurotike dhe ushqehet përditë nga debati i pafund i bartur në shoqëri nga intelektualë të të gjithë ngjyrimeve politike, të cilët vazhdimisht shërbejnë opinionin me teori konspirative amerikane dhe me gjoja natyrën imperialiste të politikës amerikane. I vetmi vend evropian ku ka patur njëfarë ngazëllimi për ngjarjet e 11.09.2001, e që përmes disputit të këtyre (pseudo)intelektualëve grekë është bartur në media dhe shoqëri, ka qenë, për turpin e saj, Greqia.
Këta far ideologësh nuk kurseheshin të shpërfaqnin njëfarë gëzimi se si, me këtë rast, teoritë e tyre mbi konspirativitetin e ekzistencës së Amerikës dhe për fundin e saj, po fillonin të realizoheshin. Askund, në asnjë vend evropian, nuk ka ndodhur që të festohej një rast kaq tragjik, kaq i tmerrshëm, si në Greqi. Madje, në këtë marrëzi, atje kanë shkuar krah për krah me shumë vende islamike e antiamerikane të dëshmuara.
Simptomet e këtij antiamerikanzmi histerik nuk janë reflektuar askund më mirë se në shtypin dhe mediat greke të atij viti. E pabesueshme, por e vërtetë, se si një artist si Mikis Teodorakis mund të çirrej duke thirrur tërë andej “SHBA është demoni bashkëkohor“.
3.
Antiamerikanizmi grek, posaçërisht ai i spektrit të majtë, është ngushtë i lidhur me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ngadhënjimin mbi të të SHBA-ve, madje pa patur një front aktiv. Thyerja e komunizmit dhe shkatërrimi i ish-BRSS në sytë e tyre është krimi më i madh amerikan. Me rrëzimin profan të ish-BRSS-së e majta greke u tkurr dhe u ndje e fyer.
Refleksi i parë i kësaj gjendjeje ishte një antiamerikanizëm edhe më i shprehur.
Këtij disponimi antiamerikan i ka ndihmuar posaçërisht pozicionimi amerikan përkrah „Juntës së Kolonelëve“, diktaturës ushtarake greke të viteve 1967-74 dhe njëkohësisht përkrahja e pareshtur amerikane Turqisë, e cila tashmë kishte nën kontroll afër 40% të Qipros.
Gjatë gjenocidit serb në Kosovë Greqia ishte i vetmi shtet anëtar i NATO-s që në vazhdimësi ka ndihmuar Serbinë, madje tendencat e antiamerikanëve të spikatur atje pretendonin të arsyetonin pozicionin serb si një luftë e drejtë kundër islamizmit (sic!). Të organizuar nga të majtët dhe nga Kisha Greke në gjithë Greqinë u mbajtën demonstrata në përkrahje të „vëllezërve serbë“, duke mbledhur ndihma për ta.
Edhe refuzimi i vazhdueshëm grek, si një nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, përveç tjerash (konkurrencës në rajon, orientimeve gjeostrategjike, përkushtimit në aleanca) ka të bëj edhe me antiamerikanizmin, sepse grekët Kosovën e shohin si një krijesë amerikane. Dhe jo vetëm kaq: edhe Shqipëria sot shihet me të njëjtin sy.
Gjatë luftës së Kosovës për Liri delegacione të panumërta të të gjithë partive dhe sindikatave greke udhëtonin në Serbi duke u solidarizuar me regjimin e Milosevic-it dhe varganët e njerëzve që demonstronin përditë mbi urat serbe. Në të njëjtën kohë sulmohet me bomba molotov përfaqësia e „General Motors“, akt ky që jo pa simpati u përshkrua në gjithë shtypin ditor grek. Përveç thirrjeve qeverisë greke për të dalë nga NATO, histeria greke e atyre muajve shkoi gjer atje sa të digjte flamuj amerikanë, dhe të brohoriste parulla të artikuluara nga goja e kryepeshkopit të Athinës Christodopulos thirrjet „demon“, „satan“, „fashist“ në aludim të SHBA-ve.
4.
E mbërthyer në një rrip të gjerë toke dhe ishujsh të panumërt Greqia sot po përballet me krizën më të madhe ekonomike në historinë e saj. Kjo krizë rrezikon edhe qetësinë sociale, për të cilën grekët gjatë historisë së tyre kontroverse, nuk kanë treguar gjithmonë vetëdije.
Veç kësaj, të vetëdijshëm për depopullimin që i ka kapluar, grekët mbahen fort për nacionalizmit të tyre irredentist, i cili pastaj nuk mjaftohet me kaq, por shpërthen në një shovinizëm idiotesk kundër fqinjëve, sidomos shqiptarëve dhe turqve. Dhe duke qenë se këta dy popuj fqinj janë aleatët më besnikë të SHBA-ve, rrjedhimisht bën që antiamerikanizmi grek të fryhet dhe të bymehet deri në marrëzi.
Greqia nuk do të na njoh pa u shtri në gjunjë nga kriza e gjithmbarshme. Njohja e Kosovës për ta është dobësim i vetvetes. Aq më shumë kur çështja shqiptare në Greqi është ringjallur dhe bërë temë diskutimi në vendimmarrjen botërore.