Site icon Telegrafi

I “anti-korruptuari’ Bjarke Ingels, zhytet thellë në marrëveshjen e korruptuar me Qeverinë e Shqipërisë

Projektin e OKB-së “Global Compact” të vitit 2015, firma e arkitekturës BIG e nis me këtë deklaratë grandioze: “Në BIG, arkitektura nuk ka të bëjë me ndërtimin e monumenteve, por me krijimin e mundësive për jetën njerëzore”, shkruan Vincent W.J. van Gerven Oei, transmeton Telegrafi.

Nën sloganin “Anti-Korrupsion”, kompania e arkitekturës e themeluar dhe e drejtuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels, thotë si në vijim:

“Ne […] kemi politikë me zero-tolerancë ndaj korrupsionit në të gjitha format e saj. […] Kur ne i zgjedhim projektet për realizim, BIG po ashtu ofron siguri që bashkëpunëtorët dhe klientët tanë nuk janë të përfshirë në asnjë aktivitet që merr parasysh korrupsionin. Ne nuk japim e as nuk pranojmë ryshfet, në asnjë mënyrë, dhe nuk do të përdorim mashtrime, dredhi apo shkelje të besimit për të fituar një avantazh të padrejtë ose të pandershëm. BIG nuk do të marrë pjesë në korrupsion; BIG nuk do të kontribuojë në korrupsion; BIG nuk do të mbështesë korrupsionin.”

Gjatë muajve të fundit, si rezultat i përfshirjes së BIG-ut në skandalin e shpronësimit të tokës publike në të cilën do të ndërtohet Teatri Kombëtar i Shqipërisë në Tiranë, është bërë e qartë se pozicioni “anti-korrupsion” është veç një sharadë e turpshme.

Siç është dokumentuar tashmë në faqen e exit.al, BIG fillimisht u kyç në mashtrim duke pretenduar se kishte fituar një “konkurs publik” për rindërtimin e Teatrit Kombëtar. Ky ishte veç një pretendim, sepse posa kontaktuam firmën e arkitekturës, ajo shpejt u tërhoq prapa një marrëveshjeje që thuhet se ishte nënshkruar me “klientin” e tyre (ata gjithashtu refuzuan të konfirmonin klientin e tyre aktual).

Drejtoresha për marrëdhënie me publikun në BIG, Daria Pahhota, po ashtu pretendoi me një email për exit.al se Bashkia e Tiranës do t’ia siguronte opinionit provat për këtë konkurs, rregulloret, anëtarët e jurisë dhe një raport. Por, edhe kjo doli të jetë mashtrim. Jo vetëm që Bashkia e Tiranës refuzoi të ofronte qasje për publikun në këto dokumente, por doli që Bashkia e Tiranës kishte një rol të margjinal në gjithë projektin e rindërtimit të Teatrit Kombëtar. Në vend të kësaj, Ministria e Kulturës e formuloi një ligj të paprecedent “special”, që do të eliminonte agjencinë e Këshillit Bashkiak të Tiranës në shpronësimin e tokave publike që zotëron. I njëjti ligj shmang plotësisht procedurat standarde të prokurimit publik duke cekur në ligj një kompani të vetme, Fusha shpk.

Ndërkohë që aktorët dhe regjisorët organizuan protesta të përjavshme, duke u përgojuar nga mediat aleate të Qeverisë, arkitekti Bjarke Ingels dha një “parashikim pozitiv” nga Barcelona teksa Qeveria e miratonte ligjin special. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një çarje e çdo besimi në deklaratën e tij për “krijimin e mundësive për jetët njerëzore.”

Në arsyetimin e ligjit special që Qeveria ka dërguar tani në Parlament me procedure të përshpejtuar, vlerësohet tërë prona e lakmuar publike, një hapësirë prej 8,465 metra katrorë në qendër të Tiranës që do t’i “shitet” blerësit të paracaktuar Fusha shpk, një kompani ndërtimi, në një totalë prej 95,567,619 lekësh (afro 760,000 euro), ose 470 euro për metër katror. Për krahasim: apartamentet në të njëjtën zonë shiten me 2,500 euro për metër katror.

Pra, jemi përballë një forme të pashembullt të grabitjes së tokës nga një kompani private me ligje të sanksionuara nga shteti dhe para një sulmi të parimeve të barazisë para ligjit, për të mos përmendur se ky transaksion, i kryer tërësisht në fshehtësi nga tregu dhe publiku, dëmton shumë financat e shtetit.

Ekziston vetëm një arsye pse një qeveri kërkon të dëmtojë veten dhe zbatimin e ligjit: korrupsioni masiv. Kështu, BIG merr pjesë në korrupsion; ndihmon në korrupsion; dhe mbështet korrupsionin. /Telegrafi/

Exit mobile version