Telegrafi

Antenat, aksioni i harruar

Për të gjitha këto antena ilegale, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit është në dijeni dhe tashmë ka verifikuar edhe vendndodhjen e tyre. Megjithatë, ART`ja assesi nuk po e nis fazën e dytë të heqjes së tyre. Ndërkaq, afati për heqjen vullnetare të ilegalëve nga komunat ka kaluar që nga 18 qershori i këtij viti. Për këtë, ART`ja i kishte njoftuar operatorët e telefonisë mobile, Telekom Serbia, Telenores dhe VIP me qendër në Serbi se antenat e tyre pas 18 qershorit nuk do të jenë funksionale në Kosovë.

Burime të gazetës “Express” brenda qeverisë tregojnë se hovin ART-së ia kanë ndalë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Kjo, thotë ky burim, ka ardhur pasi aksioni i parë më 23 prill, kur u hoqën 14 antena, kishte shqetësuar në masë të madhe ndërkombëtarët.

Edhe kreu i ART-së, Ekrem Hoxha, thotë se ART-ja ka hyrë në një proces koordinimi me faktorin vendor dhe ndërkombëtar. Kjo, sipas tij, po bëhet me qëllim të transparencës dhe lehtësimit të aksionit të dytë, pa pasur kurrfarë presioni.

“Aksioni mbetet i hapur dhe është çështje e vlerësimit tonë se kur do të merren masa varësisht nga matjet e bëra dhe shtrirja e problemit”, thotë Hoxha, duke mos përmendur një datë të saktë. Sipas tij, deri tani nga matjet dhe inspektimet në terren janë verifikuar 23 lokacione ku janë të vendosura antenat ilegale.

Tani kur ekipet e ART-se ndodhen në terren, Hoxha mohon se në enklavat serbe janë montuar antena të reja, përveç atyre që dyshohet se ekzistojnë.

Megjithatë, në një komunikatë të lëshuar më herët nga ART-ja thuhet se ky autoritet është dhe mbetet i vendosur në eliminimin edhe të pjesëve të mbetura, por periferike të operimit të operatorëve ilegalë. /Telegrafi/