Site icon Telegrafi

ANP ndan 350 mijë euro për ndërtimin e 30 shtëpive

Shtëpitë të cilat janë financuar nga ANP me iniciativë të Kryeministrit Thaçi do të ndërtohen për kategoritë pa strehë, për invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, familjet me gjendje të rëndë sociale, familjet e viktimave të luftës dhe për familjet e minoriteteve.

Me këtë rast Kryeministri Thaçi është shprehur se kostoja e përafërt e përllogaritur për ndërtimin e 30 shtëpive është 350 mijë euro, ndërsa i gjithë ky proces do të jetë në bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ANP-së.

“Dëshiroj të falënderoj Drejtorin dhe Bordin e ANP-së për mirëkuptimin, që kanë treguar në këtë drejtim”.

Nga ana e tij, drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa, është shprehur se, është kënaqësi për kompaninë që ai drejton, që pas publikimit të rezultateve mbi performancën e mirë gjashtëmujore të Aeroportit, të cilat janë bërë publike javën e kaluar, si dhe zhvillimeve të fundit, të përkrahim iniciativën e kryeministrit Thaçi, për ndërtimin e shtëpive për kategoritë me gjendje të rëndë sociale.

“Do të jetë një bashkëpunim i ndërsjellë në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ANP-së dhe padyshim që edhe në të ardhmen, në qoftë se shprehet nevoja, do të jemi të gatshëm që të vazhdojmë të përkrahim nisma të tilla”. /Telegrafi/

Exit mobile version