Telegrafi

ANP mban “peng” pasagjerët për borxh të kompanive

Gazeta “Zëri” ka mësuar se “Montenegro Airlines” i ka borxh ANP-së rreth 400 mijë euro, prandaj Aeroporti nuk e ka lejuar ta realizojë fluturimin e kësaj kompanie në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ku rreth 50 udhëtarë kanë mbetur të ngujuar deri rreth orës 12 të së njëjtës ditë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Altin Ahmeti, ka konfirmuar se për disa orë pasagjerët e “Montenegro Airlines” kanë pritur në Aeroport. Ai nuk ka dashur të thotë asgjë nëse fluturimi i aeroplanit të “Montenegro Airlines” nuk është lejuar për shkak të borxheve që ka kjo e fundit ndaj Aeroportit.

“Kontratat e Aeroportit me aviokompanitë përmbajnë klauzola të ruajtjes së sekretit afarist, prandaj nuk mund të flasim asgjë për këtë çështje”, ka pohuar Ahmeti.

Problemi me kompanitë ajrore joserioze që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës ka filluar të shfaqet vite më parë, pas vendimit të Ministrisë së Transportit që ta heqë depozitën prej 500 mijë eurove për aviokompanitë, e cila depozitë kishte për qëllim t’i mbrojë pasagjerët dhe Aeroportin e Prishtinës nga aviokompanitë e papërgjegjshme.

Me kërkesë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, Ministria e Transportit ishte detyruar ta heqë një depozitë të tillë për aviokompanitë, ku këto të fundit mund të operojnë lirshëm pa e lënë asnjë cent të vetëm në emër të depozitimit.

Heqjen e kësaj depozite mësohet se përpos zyrtarëve të lartë qeveritarë e ka kërkuar edhe vetë drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa.

Përpos “Montenegro Airlines”, borxhe rreth 800 mijë euro ndaj ANP-së mësohet se ka edhe aviokompania sllovene “Adria Airways” dhe disa aviokompani të tjera. /Telegrafi/