Telegrafi

ANP: Korriku, 20 mijë udhëtarë më shumë

Muaji korrik solli një bum udhëtarësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke tejkaluar të gjitha parashikimet e mundshme, rreth 20 mijë udhëtarë më shumë se një vit më parë.

Derisa korrikun e vitit të kaluar nëpër ANP kaluan 151 mijë udhëtarë, këtë herë numri i tyre ishte mbi 170 mijë apo rreth 13 për qind më shumë se periudha paraprake.
Rritja e numrit të udhëtarëve në korrik dhe përgjithësisht gjatë gjithë vitit kalendarik i atribuohet në radhë të parë shtimit të konkurrencës mes aviokopanive dhe për rrjedhojë rënies së çmimit të biletave.

Gjatë vitit të kaluar, 2009, deri në muajin korrik nëpër ANP kishin kaluar 666 mijë udhëtarë ndërsa këtë vit numri total për këtë periudhë është 728 mijë, apo një diferencë prej 62 mijë udhëtarë.

Në përqindje rritja vjetore e numrit të udhëtarëve për periudhën 7 mujore është 9.24 për qind.

Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, tha se arsyeja kryesore për shtimin e numrit të udhëtarëve, qëndron në rritjen e kapaciteteve nga ana e aeroportit dhe shtimin e konkurrencës në mes aviokompanive.

“Secili qytetar i Kosovës që ka udhëtuar këtë vit mund të bëjë dallimin në çmimin e biletave që kanë blerë sivjet në krahasim me vitin e kaluar. Jemi të kënaqur që angazhimi i jonë për të sjellë aviokompanitë më të njohura që operojnë me çmime të ulëta është vërejtur në çmimet e biletave”, tha Mustafa.

Gjatë periudhës shtatë mujore, në ANP u realizuan 3 mijë e 400 fluturime, nga 3.150 që ishin realizuar në periudhën paraprake të vitit 2009, apo një rritje prej 7.5 për qind e numrit të fluturimeve.

Momentalisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përveç kompanive të njohura tradicionale si British Airways, Austrian Arilines, Turkish Airlines, Swiss, Malev, Croatia Airlines, Adria Airwyas etj, kanë filluar të operojnë edhe kompanitë e mirënjohura për çmimet e lira apo siç quhen ndryshe “ Low Cost company si Easy Jet, Airberlin.

Interes së fundmi për të fluturuar ka paraqitur edhe kompania e njohur gjermane Luthansa. /Telegrafi/