Në Kosovë ka interesim të madh për t’u vaksinuar kundër coronavirusit.
Mirëpo ende nuk ka doza të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjithë qytetarëve të interesuar për vaksinim.
Komuna e Ferizajt është ankuar se sot nga Ministria e Shëndetësisë iu është premtuar furnizimi me vaksina por që nuk ka ndodhur.
“Furnizimi me vaksina kundër virusit Sars-Cov-2 për QKMF e Ferizajt nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim vaksinimin e grupmoshave mbi 65 vjeç, siç ishte paralajmëruar për këtë të hënë, nuk arritën sot. Kjo bëri që të interesuarit për vaksinim të mos merrnin shërbimin, ndonëse i gjithë stafi dhe të gjitha përgatitjet ishin dhe janë të gatshme nga ana e QKMF-së në sallën e sportit të Shkollës së Bujqësisë në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt në Facebook.
QKMF e Ferizajt ndërkohë është në pritje të furnizimit me vaksina nga Ministria e Shëndetësisë, derisa u bëhet thirrje qytetarëve që me të arritur vaksinat do të kontaktohen për vaksinim.
“Stafi drejtues dhe shëndetësor në QKMF janë në pritje të furnizimit me vaksina nga Ministria e Shëndetësisë që të rifilloj vaksinimin. Qytetarët e grupmoshave mbi 65 vjeç do të kontaktohen dhe njoftohen me kohë për arritjen e vaksinës”, thuhet më tej në njoftim./Telegrafi/