Pothuajse nëntë muaj pas zgjedhjeve të vjetshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ka rezultuar edhe një tjetër humbës – anketimet politike. Një analizë e fundit tregon se anketimet e bëra gjatë vitit 2020 në vigjilje të zgjedhjeve të 3 nëntorit, ishin nga anketimet më të pasakta të zhvilluara prej dekadash.
Organizata e profesionistëve të industrisë së anketimeve, Shoqata Amerikane për Studimet e Opinionit Publik, njoftoi se shqyrtoi 2’858 anketime, ndër to edhe qindra të zhvilluara në nivelin kombëtar apo të shteteve amerikane. Organizata konstatoi se anketimet zvogëlonin vazhdimisht mbështetjen e atëhershme për ish-Presidentin Donald Trump, megjithëse ai humbi përballë demokratit Joe Biden, i cili tashmë është presidenti i 46-të i vendit.
Organizata konstatoi se anketimet zmadhonin diferencën mes kandidatëve Biden dhe Trump, me 3.9 përqind të votës popullore dhe me 4.3 përqind në anketimet e shteteve amerikane.
Organizata tha se përqindja e gabimit ishte e “përmasave të pazakonta”, më e larta në 40 vite anketimesh kombëtare për votimet dhe për të paktën 20 vite anketimesh në nivelin e shteteve amerikane.
Por, rezultati i zgjedhjeve u reflektua saktësisht nga anketimet në përfundim të fushatës së gjatë zgjedhore; të 66-të anketimet e zhvilluara në dy javët përpara votimit tregojnë se zotin Biden do të fitonte përballë zotit Trump. Anketimet për kandidatët për senatorë ishin më pak të sakta; anketimet para-zgjedhore konkluduan saktë se kush do të ishin fituesit në vetëm 2/3-ën e rasteve.
Gjatë votimeve, zoti Biden mposhti zotin Trump me 51.3% përkundër 46.8%, pra me 81.3 milionë vota përkundër 74.2 milionë vota.
Organizata thotë se “pavarësisht nëse kandidatët kandidonin për president, senatorë, apo guvernatorë, anketimet tregonin vazhdimisht se kandidatët demokratë do t’ia dilnin më mirë dhe se kandidatët republikanë do të dilnin më keq se ç’rezultoi votimi përfundimtar i çertifikuar”.
Anketuesit thonë se nuk dinë arsyet përse gjetjet e tyre parazgjedhore gabuan me diferenca të tilla, megjithëse zoti Biden fitoi dhe kjo u parashikua në muaj të tërë anketimesh.
Në vitin 2016, anketuesit nënvlerësuan mbështetjen për zotin Trump në shtete kyçe ku ai fitoi garën për në Shtëpinë e Bardhë. Pas zgjedhjeve të atëhershme, anketuesit konkluduan se nuk kishin marrë parasysh një dallim në nivelin arsimor të votuesve amerikanë, se votuesit e arsimuar në kolegj kishin tendencën të mbështesnin më shumë demokratët se republikanët.
Autorët e analizës së anketimeve të vitit 2020 thonë se nuk janë krejtësisht të sigurt se çfarë shkaktoi gabimet e vjetshme, por sugjerojnë se një faktor mund të jetë rënia e nivelit të dëshirës për t’iu përgjigjur anketimeve, në veçanti nga republikanët.
Ish-Presidenti Trump sulmoi vazhdimisht anketimet që e tregonin atë humbës, duke i shpallur pa bazë si “false”, ose se synonin të ulnin entuziazmin për rizgjedhjen e tij.
Anketuesit thonë se është e pamundur të dihen arsyet përse njerëzit nuk marrin pjesë në votime, nëse nuk u përgjigjën as në anketimet parazgjedhore.
“Identifikimi i saktë i arsyeve përse anketimet ekzagjeruan diferencën mes demokratëve dhe republikanëve, përkundër rezultateve aktuale të votimit, duket se është i pamundur me të dhënat e disponueshme”, thuhet në raport. /VoA/