Ndarja e Angelina Jolie me Brad Pitt ka rrëzuar mitin që njerëzit kanë për “çiftet e artë” të Hollywoodit. Ky është studimi më i fundit nga Jeetender Sehdev, ekspert i njohur i botës së shoubizit, njëkohësisht dhe pedagog marketingu.
Sipas tij, fansat i kishin imagjinuar Angelinan dhe Bradin si partnerët idealë. Madje çifti Brangelina mori një status thuajse mitik, falë intervistave që vazhdimisht jepnin të dy aktorët, ndërsa flisnin për forcën e madhe të dashurisë mes tyre, ku më e bujshmja është ajo që Jolie ka dhënë për revistën Vogue në vitin 2007.
Por, tani 67 për qind e njerëzve nuk besojnë më në botën në dukje aq perfekte të Hollywoodit, ku pas saj sigurisht që fshihet puna e një marketingu të madh, transmeton Top Channel.
Rreth 1.000 persona që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, morën pjesë në anketë dhe thanë se ndihen të tradhtuar nga lajmi i papritur i ndarjes. Ndaj për të rifituar besimin me audiencën e tyre dhe fansat respektivë, Brad dhe Angelina do të duhet të jenë të sinqertë dhe në muajt në vijim – tregoi anketa.
Tashmë ka ndryshuar edhe perceptimi i çifteve hollivudiane, ku 89 për qind besojnë se lidhja është fiktive dhe i gjithë ai imazh paraqitet për të fituar para.75 për qind janë dakord se çiftet e shoubizit e shohin veten si një markë në treg.
Për këtë autori i studimit, Sehdev , ka realizuar edhe një libër “Parimet e Kim Kardashian” , i cili do të publikohet në pranverë të vitit 2017.