Site icon Telegrafi

Ankesa të shumta për vëzhgim me kamerë në shtëpi ose banime kolektive – Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga qytetarët respektimin e ligjit

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në kuadër të masave për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë personave fizik/juridik që vendosin të instalojnë kamera të vëzhgimit në objektet private t’i kenë parasysh kriteret për mbrojtjen e privatësisë dhe masat e sigurisë.

AIP në një njoftim për media bën të ditur se ka pranuar numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për vëzhgimin me kamerë në objektet private (në shtëpi dhe banime kolektive) jashtë kritereve të përcaktuara me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ankesat e adresuara në disa raste kanë rezultuar me cenimin e privatësisë së qytetarëve pasi që të njëjtat kanë vëzhguar jashtë parametrit të pronës private duke përfshirë pronën private të huaj dhe hapësirat publike.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë vendosur sistemin e kamerave që të sigurohen që kamerat të vëzhgojnë dhe regjistrojnë vetëm pronën e tyre dhe jo hapësirat publike ose pronën e fqinjëve”, thuhet në njoftim.

Me rastin e vendosjes së kamerës, qytetarët janë të obliguar të vendosin shenja njoftuese për praninë e kamerave, të ruajnë regjistrimet në mënyrë të sigurt duke i mbrojtur nga qasjet e pa autorizuara, si dhe regjistrimet t’i ruajnë për një periudhë të arsyeshme kohore jo më shumë se 30 ditë.

AIP thekson tutje se respektimi i këtyre kritereve ndihmon në mbrojtjen e privatësisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version