Telegrafi

Ankesa në Procedurën Penale

Ardita Morina
Avokate

Qytetarë të shumtë nuk janë në dijeni të kësaj të drejte të cilën ia mundëson Legjislacioni Penal, duke menduar se çështja e tyre me të cilën ata ballafaqohen në procedurën penale, përfundon me vendim të Gjykatës Themelore si Gjykatë e Shkallës së Parë.

Ankesa është mjet i rregullt juridik ku atakohet vendimi i Gjykatës Themelore si shkallë e parë, i cili ende nuk e ka marrë formën e prerë dhe qëllimi i tij është rishqyrtimi i korrektësisë së vendimit gjyqësor para formës së tij të prerë.

Ankesa lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore si shkallë e parë është e garantuar me aktet vendore dhe ndërkombëtare me çka është e siguruar që Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë të verifikojë rregullsinë dhe ligjshmërinë e aktgjykimit të shkallës së parë para formës së prerë.

Kundër aktgjykimit të marrë nga gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues i Gjykatës Themelore si Gjykatë e shkallës së parë , ankesë mund të paraqesin personat e autorizuar brenda 15 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit nëpërmjet Gjykatës Themelore për Gjykatën e Apelit.

Ankesa e personit të autorizuar e paraqitur brenda afatit të caktuar e pezullon ekzekutimin e aktgjykimit.

Ankesë mund të paraqesin prokurori i shtetit, i akuzuari, mbrojtësi, përfaqësuesi ligjor i të akuzuarit dhe i dëmtuari.

Prokurori i shtetit mund të paraqes ankesë në dëm dhe në dobi të akuzuarit.

Ankesa kundër aktgjykimit duhet të jetë në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës që përfshinë: të dhënat mbi aktgjykimin i cili ankimohet; arsyet për kundërshtimin e aktgjykimit; propozimin për anulim të tërësishëm ose të pjesshëm të aktgjykimit ose për ndryshim të tij dhe nënshkrimi i ankuesit.

Ndaj aktgjykimit mund të ushtrohet ankesë: për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale; shkeljes së ligjit penal; vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike ose për shkak të vendimit lidhur me sanksionet penale; konfiskimit të dobisë pasurore të filluar me vepër penale; shpenzimeve të procedurës penale; kërkesave pasurore juridike.

Ankesa kundër aktgjykimit paraqitet në gjykatën e cila e ka nxjerrë aktgjykimin.
Kjo gjykatë ia dërgon një kopje të ankesës palëve kundërshtare, të cilat mund të paraqesin përgjigje në ankesë brenda afatit prej 8 ditëve nga pranimi i kopjes së ankesës. Kjo gjykatë e përcjellë ankesën, përgjigjen në ankesë dhe shkresat e tjera përkatëse në Gjykatën e Apelit si Gjykatë e shkallës së dytë.

Gjyqtari raportues, sipas nevojës mund të kërkojë nga Gjykata Themelore raport për shkeljen e dispozitave të procedurës penale e ndërmjet kësaj gjykate ose në ndonjë mënyrë tjetër, të vërtetojë pretendimet e ankesës lidhur me provat dhe faktet e reja ose siguron raportet dhe dokumentet e nevojshme nga organet ose nga personat të tjerë juridik.

Nëse i akuzuari është në paraburgim, gjyqtari raportues brenda afatit 5 ditësh pas pranimit të shkresave të lëndës, sipas detyrës zyrtare e shqyrton nëse ekzistojnë arsyet për mbajtje në paraburgim.

Seanca para kolegjit të Apelit

Kur të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burgim, njoftimi për seancën e kolegjit të apelit i dërgohet prokurorit kompetent të shtetit, të dëmtuarit, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij. Në qoftë se i akuzuari i cili ndodhet në paraburgim ose për mbajtje të dënimit, dëshiron të marrë pjesë në seancë, pjesëmarrja i mundësohet.

Seanca e kolegjit fillon me raportim të gjyqtarit raportues mbi faktet. Kolegji mund të kërkojë nga palët dhe mbrojtësit që të prezantojnë në seancë sqarime të nevojshme lidhur me pretendimet e tyre në ankesë.

Publiku mund të përjashtohet nga seanca e kolegjit që mbahet në prani të palëve vetëm nën kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Gjykata e Apelit në seancë të kolegjit vendos nëse do të mbaj shqyrtimin.

Shqyrtimi para Gjykatës së Apelit mbahet vetëm kur është e nevojshme që për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, të marrë prova të reja ose të përsëriten provat e marra më parë dhe kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme që lënda të mos i kthehet Gjykatës Themelore në rigjykim.

Në shqyrtim të Gjykatës së Apelit, thirren i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, prokurori i shtetit, i dëmtuari, përfaqësuesi ligjor dhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit, dëshmitarët dhe ekspertet të cilët gjykata me propozim të palëve apo sipas detyrës vendos t’i pyes.

Gjykata e Apelit në seancë të kolegjit ose në bazë të shqyrtimit:

▪ E hedhë ankesën si të paafatshme ose të palejuar;
▪ E refuzon ankesën si të pabazë dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore;
▪ E anulon aktgjykimin dhe çështjen ia kthen Gjykatës Themelore për rigjykim ose e ndryshon aktgjykimin e Gjykatës Themelore;
▪ Vendimi i Gjykatës së Apelit nënshkruhet nga të gjithë gjyqtarët e kolegjit;
▪ Një anëtar i kolegjit mund të jep mendim të ndarë mospajtues ose pajtues për çështjet juridike ose faktike lidhur me ankesën dhe mendimi i tillë i bashkëngjitet vendimit kryesor.

/Telegrafi/