Site icon Telegrafi

Ankaraja kërkon normalizim të marrëdhënieve mes Katarit dhe vendeve arabe

Turqia, që mban raporte të ngushta me shtetet e Gjirit, kërkoi sot dialog dhe u shpreh e gatshme për të ndihmuar për zgjidhjen e krizës së shkaktuar nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga Arabia Saudite dhe aleatët me Katarin.

“Mund të ketë probleme mes vendeve, por duhet që dialogu të vazhdojë”, deklaroi shefi i diplomacisë turke, Mevlut Cavusoglu, në një konferencë shtypi në Ankara.

“Sigurisht, ne do të japim çdo lloj mbështetjeje që situata t’i rikthehet normalitetit”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri, Numan Kurtulmus theksoi në një konferencë shtypi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte zhvilluar biseda telefonike me disa drejtues të huaj në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet përsa i përket Katarit.

Kurtulmus u kërkoi të gjithë protagonistëve të kësaj krize diplomatike të japin prova vetëpërmbajtjeje.

Turqia mban raporte të mira me Katarin, por gjithashtu marrëdhënie të mira me monarkitë e tjera të Gjirit, veçanërisht Arabinë Saudite.

Ashtu si Katari, edhe Turqia është akuzuar shpesh për mbështetje të grupeve të ndryshme të dala nga lëvizja e ”Vëllezërve Myslimanë” në botën arabe.

Exit mobile version