Telegrafi

Ankaraja dhe Moska janë pajtuar për ‘marrëveshjen historike’: Bëhen të ditura detajet e takimit Erdogan-Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë diskutuar sot në Soçi lidhur me situatën në Siri, pas përfundimit të armëpushimit pesëditor në verilindje të vendit.

Në një konferencë të përbashkët për media, Erdogan tha se me homologun e tij Putin kanë arritur një marrëveshje ‘historike” duke siguruar unitetin politik, integritetin territorial të Sirisë dhe luftën kundër terrorizmit.

Ai tha se militantët kurdë duhet të tërhiqen brenda 150 orësh nga zona ku Turqia është duke zhvilluar aktualisht operacionet e saja ushtarake.

“Rusia dhe Turqia do të formojnë një mekanizëm të veçantë për të vëzhguar zbatimin e marrëveshjes dhe koordinimin e saj”, u shpreh Erdogan.

Lexo po ashtu SHBA-ja vjen me paralajmërim të fuqishëm: “Plotësisht të përgatitur” për veprime ushtarake kundër Turqisë, nëse është e nevojshme

Ndërsa, shefi i diplomacisë turke Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po ashtu mbajti një konferencë të përbashkët me homologun e tij rus Sergej Lavrov tha se sipas kësaj marrëveshje, Policia ushtarake ruse do të përkujdeset për ‘eliminimin e të gjitha elementeve të YPG dhe armëve të tyre 30 kilometra larg zonës në kufirin me Turqinë, në veri të Sirisë”.

Derisa shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov tha se Turqia dhe Rusia do të mbajnë patrullime të përbashkëta 10 kilometra në lindje dhe perëndim të zonës ku Turqia po zhvillon Operacionin ushtarak “Peace Spring”.

Ndërkohë, lidhur me takimin ka folur edhe presidenti rus.

“Erdogan më shpjegoi në detaje objektivat e operacionit ushtarak turk përgjatë kufirit me Sirinë”, ka thënë Putin pas takimit me Erdogan.

Presidenti rus theksoi se është e rëndësishme që ‘anëtarët e organizatave terroriste, veçanërisht Shteti Islamik, të cilat mbahen nga forcat ushtarake kurde dhe që po përpiqen të shpëtojnë, të mos përfitojnë nga veprimet e forcave ushtarake turke’. /Telegrafi/