Site icon Telegrafi

Ankandi i parë solar në Kosovë, INDEP reagon për shtyrjet e vazhdueshme në këtë proces

INDEP, ka shprehur shqetësimin e thellë për vonesat dhe shtyrjet e vazhdueshme në procesin e ankandit të parë solar në Republikën e Kosovës.

Në një reagim për media INDEP thekson se shtyrja e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit.

“Marrë parasysh që Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në fushën e energjisë së ripërtëritshme, është thelbësore që të tërheqim investitorë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për të shfrytëzuar këtë potencial. Vonesat e njëpasnjëshme vetëm sa e ngadalësojnë rrugën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të sigurt të energjisë. Ky proces kërkon një qasje transparente dhe respektim të përpiktë të afateve kohore”, thuhet në reagim.

INDEP u ka bërë thirrje institucioneve kompetente të marrin masa konkrete për të përmirësuar këtë situatë dhe për të siguruar një shtrirje të shpejtë të energjisë së diellit në vendin tonë, për një tranzicion të drejtë të energjisë.

Reagimi i plotë:

INDEP shpreh shqetësimin e thellë për vonesat dhe shtyerjet e vazhdueshme në procesin e ankandit të parë solar në Republikën e Kosovës. Shtyerja prej katër herësh e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit. INDEP kërkon që krahas me procedimin e ankandit të ofrohen sqarime të plota mbi vonesat dhe të informohet publiku për secilin hap të këtij procesi. Udhëtimi drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të sigurt të energjisë është thelbësor dhe kërkon një qasje transparente dhe respektim të përpiktë të afateve kohore, përfshirë të vet dokumenteve strategjike të Qeverisë, siç është Programi i Zbatimit të Strategjisë së Energjisë Së Kosovës (Pzsek) për Periudhën 2022-2025.
Ankandet janë jetike për të garantuar suksesin e Strategjisë së Energjisë dhe objektivave për kapacitete shtesë instaluese prej rreth 1.4 GW të energjisë së ripërtrishme.

Ankandi i parë solar, jo vetëm që është vonuar e stërvonuar por edhe prej se është nisur ta bëj, Qeveria ka ndryshuar afatet për katër herë. Fillimisht u caktua për 15 gusht 2023, më pas u zhvendos në 30 shtator 2023 dhe së fundi në 16 tetor 2023. Tani, kemi parë në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës se data shtyhet më tej deri në 31 janar 20241. Këto vonesa të përsëritura paraqesin pikëpyetje të rëndësishme, jo vetëm për ne, por çka është më e rëndësishmja për kompanitë ofertuese, investitorët potencialë dhe qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin përparimin në iniciativat për energjinë e pastër e të gjelbër. Qartësia dhe qëndrueshmëria janë thelbësore për ndërtimin e besimit në klimën e investimeve!

Është shqetësues fakti që akterët përkatës, siç është Ministria e Ekonomisë apo vetë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk informojnë publikisht shtyerjet e këtyre afateve. As edhe një herë të vetme, nuk është bërë publike shtyerja e afateve për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit, dhe informacioni i tillë bëhet i ditur vetëm përmes qasjes në në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës. Pompoziteti i dhënë me rastin e lansimit të kësaj skeme mbështetëse, do të duhej që së paku të ishte transparent edhe përgjatë ndryshimeve të bëra në këto kohë. Kjo mungesë e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve përgjegjëse zbeh suksesin, pengon procesin dhe paraqet tërheqje nga përgjegjësia.

Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe është thelbësore që të tërheqim investitorë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për të shfrytëzuar këtë potencial. Vonesat e shpeshta mund të çojnë në pasoja të parikuperueshme të pengimit të investitorëve të mundshëm dhe cenimit të besueshmërisë së këtij procesi të rëndësishëm. Vetë Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe këtij ankandi.

Njoftimi për ankandin me energji solare fotovoltaike me kapacitet prej 100 MW ishte bërë në një konferencë për media me datë 12 maj 2023, nga vetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Vonesa është edhe në kundërshtim me Programi i Zbatimit të Strategjisë së Energjisë Së Kosovës (Pzsek) për Periudhën 2022-2025, masat II.2.6 dhe II.2.7 që kanë përcaktuar vitin 2023 si vitin për njoftimin për ankandin e parë dhe dhënjen e tij.2 Shkelja e këtij plani dhe vonesat e shpeshta rrezikojnë dinamikën e zbatimit të Strategjisë dhe zbehin rëndësinë e kësaj nisme.

Ne besojmë se është në interesin më të mirë të të gjithëve që të sigurohet që investimet në sektorin e energjisë kryhen pa vonesa dhe me transparencë të plotë.

INDEP mbetet i përkushtuar në monitorimin dhe avokimin për qëndrueshmëri dhe transparencë në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesit që të kenë prioritet menaxhimin në kohë dhe me përgjegjësi të Ankandit të parë solar.

I kërkojmë Ministrisë që masat e planifikuara në Strategjinë e Energjisë dhe në programet e zbatimit të saj t’i zbatoj pa vonesa, në transparencë të plotë dhe me dinamikë të përshpejtuar. Ministria e Ekonomisë duhet të jetë në ballë të tranzicionit për të përshpejtuar e lehtësuar atë, dhe jo prapa tij për t’a vonuar dhe për t’a mbyllur ndaj publikut.

Le të punojmë bashkë për të siguruar që e ardhmja e sektorit të energjisë së Kosovës të ndërtohet mbi një bazë solide besimi, qëndrueshmërie dhe progresi. /Telegrafi/

Exit mobile version