Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anjeza Shahini, dje bëri një postim rreth festivaleve në Instagram dhe përmes tij mediat rozë raportuan se ajo hoqi dorë nga muzika.
Postimi në fjalë më saktësisht ka të bëjë me një këngë të saj të publikuar në Instagram, me të cilën tha se i përmbylli të gjitha festivalet.
“Më vjen mirë që konkurrimet nëpër festivale i mbylla me këtë këngë plot energji dhe ngjyra”, duke iu referuar pjesëmarrjes së fundit në spektaklin “Kënga Magjike” në vitin 2014 me këngën “Energji”.
Megjithatë, pas këtij postimi, ajo së fundmi ka bërë një sqarim për të gjithë fansat e saj, duke treguar të vërtetën. Ajo sqaron se fjalët e saj janë keqkuptuar në postimin paraprak dhe se nuk e kishte mendjen të hiqte dorë nga muzika.
“Hej të dashur, si shpesh herë postoj diçka,më duhet ta pasoj me një postim sqarimi, pasi siç e dini nuk më pëlqejnë keq-interpretimet e atyre që shkruaj. Në postimin tim të mëparshëm shkrova që “E kam mbyllur me FESTIVALET”. Nuk mendova që ishte një surprizë pasi më duket e natyrshme që një artist të kalojë faza të ndryshme të zhvillimit të tij artistik”.
“Unë sigurisht që DO VAZHDOJ TE KENDOJ. Dashtë Zoti na e bën mbarë. Ju kujtoj, se shumë vende të botës nuk kanë fare festivale, por kanë shumë këngëtarë që bëjnë këngë, albume, koncerte e tura madje dhe shumë para”, ka shkruar mes të tjerash 32-vjeçarja në postimin e saj.
Theksojmë që Anjeza prej vitesh jeton dhe vepron në Angli bashkë me bashkëshortin e saj, diplomatin anglez, Paul Connolly. /Telegrafi/