Edhe pse tingëllon si fantashkencë, anija oqeanike pa asnjë njeri në bord po vjen më shpejt se sa mendoni.
Në pamje të parë duket si çdo anije tjetër. Megjithatë, kur shikoni më afër mund ta vëreni teknologjinë e lartë të instaluar brenda saj ku përfshihen kamera, mikrofonë, radarë, GPS, dhe të gjitha llojet e komunikimeve satelitore.
“Ne kemi shtuar shumë pajisje dhe e kemi projektuar atë për të qenë ajo që ne e quajmë robotike”, tha Colin Field, kreu i sistemeve në distancë në kompaninë US-UK Ocean Infinity (OI).
Pamjet e shpërndara së fundmi shfaqin anijen 78 metra të gjatë me vetëm 16 persona në bord e cila është pjesë e flotës “Armada”, një flotë me 23 anije e projektuar për vëzhgimin e shtratit të detit dhe kontrollimin e infrastrukturës nënujore për industrinë e naftës dhe gazit.
“Është e mahnitshme se si gjithçka është e automatizuar”, tha piloti praktikant i mjetit të drejtuar nga distanca (ROV), Marian Meza Chavira, duke lënë të nënkuptohet se me avancimin e teknologjisë ekuipazhi do të redukohet dhe në një të ardhme do të largohet krejtësisht.
Ndryshe, në Belgjikë dhe Japoni ka anije që lundrojnë në mënyrë autonome midis destinacioneve të ndryshme, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Përparësitë e këtyre mjeteve janë të dukshme. Me më pak njerëz në bord, ato mund të jenë më të vogla në madhësi, që do të thotë se kërkojnë më pak karburant.
Sipas hulumtuesit të transportit autonom në Universitetin e Teknologjisë në Delft, Rudy Negenborn, sistemet teknologjike për të zëvendësuar ekuipazhin po zhvillohen me shpejtësi, por ende kanë rrugë për të bërë.
Disa anije të vogla tashmë lejohen të punojnë pa asnjë person në bord. Kompania britanike Sea-Kit International është duke projektuar një flotë të këtyre anijeve pa ekuipazh. Madje, një prej tyre është dërguar së fundmi në Tonga për të vëzhguar vullkanin nënujor ende aktiv që shpërtheu në vitin 2022, detyrë kjo që konsiderohet mjaft e rrezikshme.
Por, teksa transporti autonom për të operuar nga distanca po zhvillohet, lindin edhe pyetje të shumta.
Si do të ndryshojnë këto teknologji natyrën e punës? A mund të krijojnë lloje të reja pune? Sa të sigurta janë sistemet që po zhvillohen dhe a mund të mbrohen nga sulmet kibernetike? Më saktësisht, a janë mjaft të fuqishme dhe të besueshme?
Aktualisht me çështjet që lidhen me anijet autonome në det po përballet Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO).
Bëhet e ditur se në përkrahje të këtij lloj transporti është edhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
“Po vjen një industri e madhe dhe qeveria padyshim nuk dëshiron t’i humbasë mundësitë”, tha avokatja e transportit detar Fiona Cain. /Telegrafi/