Telegrafi

Anijet luftarake vihen në lëvizje, NATO fillon stërvitjen më të madhe që nga Lufta e Ftohtë

Anija zbarkuese e marinës amerikane “Gunston Hall” u largua nga porti të mërkurën për të shënuar lëvizjen e parë për stërvitjen më të madhe të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rreth 90,000 trupa nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera aleate të NATO-s do t’i bashkohen stërvitjeve “Steadfast Defender 2024” që do të zgjasin deri në maj.

Veç tyre, do të marrin pjesë edhe më shumë se 50 anije – nga aeroplanmbajtëse deri tek shkatërruesit – si dhe më shumë se 80 aeroplanë, helikopterë dhe drone dhe të paktën 1,100 automjete luftarake, duke përfshirë 133 tanke dhe 533 automjete luftarake të këmbësorisë.

Lexo po ashtu Çfarë do të thotë për Evropën stërvitja e NATO-s, Steadfast Defender 24?

Stërvitjet thuhet se do të provojnë ekzekutimin e planeve të saj rajonale nga NATO, planet e para të mbrojtjes që aleanca ka hartuar në dekada, duke detajuar se si do t’i përgjigjej një sulmi të mundshëm rus.

NATO nuk e përmendi Rusinë me emër në njoftimin e saj.

Por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e anëtarëve të NATO-s.

Lexo po ashtu Britania do të vendosë 20,000 trupa në një nga stërvitjet më të mëdha të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë – do të praktikohet “mbrojtja kundër Putinit”

Stërvitja vjen në një moment të rëndësishëm, përkatësisht në momentin kur pushtimi rus i Ukrainës filloi luftën më vdekjeprurëse në tokën evropiane në më shumë se 70 vjet.

“NATO filloi sot stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga viti 1988 me 90,000 personel që marrin pjesë në stërvitje në të gjithë Atlantikun e Veriut dhe Evropë”, ka thënë Matthias Eichenlaub, një zëdhënës i NATO-s.

“Largimi i USNavy’s Gunston Hall nga Norfolk shënoi fillimin (zyrtar) të SteadfastDefender24”. /Telegrafi/