Dy varka humanitare, me gjithsej 509 emigrantë të shpëtuar në Mesdhe, kanë mbërritur në portet italiane, pas disa ditësh në det në kushte të pafavorshme atmosferike.
Anija Geo Barents, e Médecins Sans Frontières, mbërriti në portin e Salernos, në jug të Napolit, me 248 emigrantë në bord, pasi një nënë që lindi një fëmijë dhe një djalë 14-vjeçar me dhimbje të forta barku u evakuuan, përcjell Telegrafi.
Ndërsa Humanity 1, që i përket SOS Humanity të Gjermanisë, ka hyrë në portin e Barit me 261 emigrantë të tjerë që u shpëtuan në det.
Deri të premten, dy anijet humanitare ndodheshin në brigjet e ishullit italian të Sicilisë, në pritje të një porti të sigurt.
Qeveria italiane u dha atyre dy porte që janë në kontinent, duke detyruar anijet dhe 509 emigrantët e shpëtuar të lundrojnë për një ditë tjetër në kushte të vështira moti.
“Ne kemi lundruar për gati 40 orë me shpejtësi të plotë dhe në kushte të pafavorshme moti, me erëra shumë të forta dhe dallgë të larta deri në tre metra. Kalimi ishte rraskapitës”, ka thënë një zëdhënës i Humanity 1.
Ministria e Brendshme e Italisë tha se portet kontinentale u zgjodhën në mënyrë që qendrat e pritjes në Sicili të mos mbipopulloheshin.
Burimet e ministrisë pohojnë se qeveria, e udhëhequr nga Giorgia Meloni, nuk ka ndryshuar politikën e saj kundër OJQ-ve që shpëtojnë emigrantët në det, të cilat i akuzon se inkurajojnë fluksin e emigrantëve nga Afrika. /Telegrafi/