Site icon Telegrafi

Anija ruse përballë brigjeve shqiptare, alarmi është dhënë nga mediat italiane

Prej disa ditësh një anije ruse patrullon në ujërat ndërkombëtare në Mesdhe. Gjatë ditës së djeshme, anija ka qëndruar në pikën detare ku do të kalojë gazsjellësi TAP në Kanalin e Otrantos.

Një anije ruse ka udhëtuar ditët e fundit në Adriatik dhe Jon me një mision të papërcaktuar. Alarmi është dhënë nga mediat italiane, të cilat prej dy ditësh flasin për një situatë të pazakontë në Mesdhe.

Anija ‘Akademik Pashin’ është parë dje në Kanalin e Otrantos duke qëndruar disa orë në det të hapur. Sipas verifikimeve të hartave ujore, anija ka ndaluar në zonën ku do të kalojnë linjat e gazsjellësit Tap. Ky gazsjellës cilësohet si nyjë strategjike për rajonin, pasi lidh Ballkanin me Italinë. Gazsjellësi kalon nga Shqipëria përmes Kanalit të Otrantos drejt Italisë dhe transporton gazin nga Azebajxhani, transmeton Euronews Albania.

Ajo që ka bërë më shumë shqetësuese situatën është modeli i anijes. ‘Akademik Pashin’ është një anije speciale që përdoret për furnizimin e ushtrisë ruse. Zyrtarisht ajo përdoret si shoqëruese e anijeve të luftës në udhëtimet e gjata. Por jo zyrtarisht, kjo anije cilësohet edhe si mjet spiun për të gjurmuar aktivitetin e flotës së NATO-s dhe shteteve të tjera.

‘Akademik Pashin’ cilësohet si një nga anijet me moderne ruse. Ajo ka hyrë në shërbim në vitin 2020 dhe besohet se ka teknologji të avancuar.

Anija është nisur nga Siria, ky Rusia ka prej vitesh një bazë detare. Me pas ka udhëtuar për në Mesdhe në ujërat ndërkombëtare, duke kaluar afër Greqisë, Italisë. Pozicioni i saj i fundit është në Kanalin e Otrantos përballë Shqipërisë dhe Italisë, ku ndodhen dhe tubacionet e TAP.

Exit mobile version