Telegrafi

Anija ruse e dyshuar për transportimin e raketave balistike iraniane shihet në portin e Detit Kaspik, publikohen imazhet satelitore

Një anije ruse mallrash e dyshuar se mbante raketa balistike iraniane për luftën e Rusisë kundër Ukrainës u pa në një port rus në Detin Kaspik një javë më parë, tregojnë imazhet satelitore.

Anija – Port Olya 3 – u identifikua nga Maxar Technologies në imazhet satelitore të marra më 4 shtator në Port Olya në Astrakhan.

Bëhet e ditur se ajo më 29 gusht kishte qenë në portin iranian të Amirabad, sipas të dhënave të gjurmimit të anijes.

Por, anija e ka fikur transponderin një moment më pas.

Departamenti amerikan i Thesarit vlerësoi se Ministria ruse e Mbrojtjes kishte “përdorur anijen Port Olya-3 për të transportuar CRBM nga Irani në Rusi”.

“Në fillim të shtatorit 2024, Rusia mori dërgesën e parë të CBRM-ve nga Irani”, tha Thesari, ndërsa njoftoi sanksione ndaj Port Olya 3, disa anijeve të tjera dhe individëve iranianë.

Ndryshe, së fundmi është raportuar se Irani kishte transferuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës.

Marrëdhëniet ushtarake midis Iranit dhe Rusisë janë afruar më shumë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Irani ka furnizuar Rusinë me mijëra dronë sulmues “Shahed” dhe sipas zyrtarëve amerikanë, ka ndërtuar një fabrikë dronësh në Rusi.

Por, imazhet satelitore u shfaqën një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në Londër se SHBA-ja besonte se ushtria ruse kishte marrë dërgesa të raketave balistike iraniane Fatah-360 dhe “ka gjasa t’i përdorë ato brenda javësh në Ukrainë kundër ukrainasve”.

Fateh-360 ka një rreze veprimi deri në 120 kilometra dhe mund të mbajë një ngarkesë prej 150 kilogramëve.

Ndërsa ngarkesa është më e vogël se ajo e shumë bombave ajrore ruse, do të ishte e dobishme në shënjestrimin e pozicioneve të vijës së parë të Ukrainës nga një distancë e konsiderueshme.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) ka vlerësuar se “forcat ruse ka të ngjarë të përdorin raketat e furnizuara nga Irani për të shënjestruar infrastrukturën energjitike, ushtarake dhe civile të Ukrainës në muajt e ardhshëm”.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi mohoi se Republika Islamike e kishte furnizuar Rusinë me raketa balistike: “Edhe një herë, SHBA-ja dhe E3 (Britania e Bashkuar, Franca dhe Gjermania) veprojnë mbi inteligjencën e gabuar dhe logjikën e gabuar, Irani nuk ka dorëzuar raketa balistike në Rusi”. /Telegrafi/