Site icon Telegrafi

Anija “lundron” mbi det dhe kjo foto nuk është montazh: Njerëzit fërkojnë sytë me mosbesim për shkak të imazhit nga Greqia

Është bërë viral imazhi i anijes “Achilleus” që operon në linjën Skyros-Kimi-Skyros, e cila është fotografuar nga greku Nontas Kalogianis.

Duket si një fotomontazh sepse anija e madhe “lundron” mbi sipërfaqen e detit, ndaj nuk është për t’u habitur që u kujton njerëzve një skenë nga video-lojërat apo filmi i famshëm “The Matrix”.

Sado joreale të duket, është autentike dhe Kalogianis regjistroi një mirazh shumë kompleks, raporton dailystar.

“Fatamorgana” i referohet mirazhit specifik që ndodh për shkak të thyerjes së dritës përmes shtresave të ajrit me temperatura të ndryshme. Këto mirazhe shpesh shfaqen si imazhe ose iluzione të shtrembëruara, që zakonisht shihen në shkretëtira ose mbi trupa ujorë.

Për këtë arsye, kur kushtet janë ideale, objekte të tilla si anije, shkëmbinj, madje edhe ishuj të tërë mund të shfaqen, pjesërisht në qiell dhe pjesërisht në det.

Meteorologu i BBC, David Brain shton se “mirazhet superiore ndodhin për shkak të gjendjes së motit të njohur si përmbysja e temperaturës, ku ajri i ftohtë shtrihet afër detit me ajër më të ngrohtë mbi të. Për shkak se ajri i ftohtë është më i dendur se ajri i ngrohtë, ai e kthen dritën drejt syve të dikujt që qëndron në tokë – ose në breg, duke ndryshuar pamjen e një objekti të largët”.

Ndryshe, skena nga Greqia nuk është e vetmja. Kështu, në fillim të vitit 2021, një cisternë u fotografua duke “lundruar” mbi sipërfaqen e detit, pranë bregut të Cornwall britanik. /Telegrafi/

Exit mobile version