Kina ka zbarkuar një anije kozmike në anën e largët të Hënës për të mbledhur mostrat e tokës hënore dhe shkëmbinjve dhe për t’i sjellë ato përsëri në Tokë për herë të parë.
Bëhet e ditur se anija Chang’e-6 ka zbarkuar në një krater të madh të Hënës i njohur si Baseni i Polit të Jugut-Aitken, ka njoftuar Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës.
Anija do të mbledhë deri në 2 kg material sipërfaqësor dhe nëntokësor për rreth dy ditë, për t’i sjellë në Tokë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Më saktësisht, mostrat do të kthehen nga hapësira për në shkretëtirat e rajonit të Mongolisë rreth 25 qershorit.
Shpresohet se ky mision do të sigurojë të dhëna të reja mbi formimin e sistemit diellor.
Siç raportohet, ky është misioni i dytë kinez në anën e largët të Hënës, me anijen Chang’e-4 që e preku sipërfaqen hënore në vitin 2019.
E misione të tilla thuhet të jenë të vështira për t’u realizuar pasi ai rajon është i largët dhe përmban kratere të thella.
Ndryshe, misionet në Hënë janë pjesë e një konkurrence në rritje në eksplorimin e satelitit të Tokës.
SHBA-ja po planifikon të zbarkojë përsëri astronautët e saj në Hënë për herë të parë në më shumë se 50 vjet. /Telegrafi/