Presidenti Donald Trump tha të enjten se një anije e Marinës amerikane rrëzoi një avion iranian pa pilot në një veprim vetëmbrojtës.
Ai tha se USS Boxer, një anije sulmuese amfibe, qëlloi ndaj dronit në ngushticën e Hormuzit të enjten, duke e shkatërruar atë.
Rrëzimi i dronit iranian i rrit më tej tensionet tashmë të larta në rajonin e Gjirit.
USS Boxer është pjesë e një grupi anijesh të marinës që ndodhen në ngushticë, mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, të cilat shënojnë një prani më të madhe ushtarake të SHBA në rajon.
Incidenti vjen katër javë pasi Irani hodhi rrëzoi një dron amerikan vëzhgimi që fluturonte mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare në të njëjtën zonë.
Presidenti Trump u tha gazetarëve të enjten se “USS Boxer mori masa mbrojtëse kundër avionit iranian, i cili po fluturonte në distancë të afërt, rreth 1000 metra, duke mos përfillur thirrjet e shumta për t’u larguar. Presidenti tha se droni iranian po kërcënonte sigurinë e anijes dhe të ekuipazhit të saj.
Presidenti shtoi se droni “u shkatërrua menjëherë”, përcjell VOA.
Ai tha se veprimet e dronit duke iu afruar anijes USS Boxer, janë “i fundit mes shumë veprimeve provokative dhe armiqësore kundër anijeve që veprojnë në ujërat ndërkombëtare”.
Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara “rezervojnë të drejtën për të mbrojtur personelin dhe objektet e tyre”.
Ai tha se SHBA dënojnë përpjekjet e Iranit për të shkaktuar çrregullime në lirinë e lundrimit dhe tregtinë globale.
Ai gjithashtu u bëri thirrje “vendeve të tjera për të mbrojtur anijet e tyre kur ato kalojnë nëpër ngushticë” dhe të punojnë me SHBA në të ardhmen.