Një anije amerikane me energji bërthamore ka mbërritur në Korenë e Jugut për një stërvitje që përfshin edhe Japoninë, ndërsa ata rritin stërvitjen ushtarake për të përballuar kërcënimet e Koresë së Veriut, të cilat janë përshkallëzuar pas një pakti të sigurisë me Rusinë.
Bëhet e ditur se anija USS Theodore Roosvelt është drejtuar për në Busan, një ditë pasi Koreja e Jugut protestoi ndaj një marrëveshjeje të madhe midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Bëhet e ditur se marrëveshja midis Rusisë dhe Koresë së Veriut premton ndihmën e ndërsjellë në rast lufte.
Gjithashtu, Koreja e Jugut thotë se marrëveshja përbën kërcënim për sigurinë e saj dhe paralajmëroi se mund të konsiderojë dërgimin e armëve në Ukrainë për të kundërshtuar pushtimin rus, veprim ky që me siguri do t’i prishë marrëdhëniet e saj me Moskën.
Siç raportohet, pas një takimi më herët në Singapor në mes të shefave të mbrojtjes, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia, njoftuan stërvitjet Freedom Edge, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Kundëradmirali Christopher Alexander tha se stërvitja ka për qëllim mprehjen e aftësive taktike të anijeve dhe përmirësimin e ndërveprimit midis marinave të vendeve “për të siguruar gatishmërinë në rast krize dhe emergjence”.
Marina e Koresë së Jugut tha në një deklaratë se mbërritja e anijes amerikane demonstron qëndrimin e fortë mbrojtës të aleatëve dhe “gatishmërinë e ashpër për t’iu përgjigjur kërcënimeve të avancuara të Koresë së Veriut”.
Ndryshe, stërvitjet vijnë shtatë muaj pasi një tjetër anije amerikane, USS Carl Vinson, shkoi në Korenë e Jugut në një shfaqje fuqie kundër asaj të Veriut.
Përballë kërcënimeve në rritje të Koresë së Veriut, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë zgjeruar trajnimin e tyre të kombinuar dhe kanë rritur dukshmërinë e aseteve strategjike ushtarake të SHBA-së në rajon.
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut gjithashtu kanë përditësuar strategjitë e tyre të parandalimit bërthamor, me Seulin që kërkon garanci më të forta se Uashingtoni do të përdorë me shpejtësi dhe vendosmëri aftësitë e tij bërthamore për të mbrojtur aleatin e tij nga një sulm bërthamor. /Telegrafi/