Telegrafi

Anija 1.800 metërshe që do të lundrojë vazhdimisht nëpër detet, do të jetë pesë herë më e madhe se aeroplanmbajtësja më e madhe

Kompania amerikane “Freedom Cruise Line International”, duhet që pas dhjetë vitesh planifikim dhe investim të fillojë ndërtimin e anijes “Freedom Ship”.

Bëhet fjalë për një qytet të ashtuquajtur lundrues, 1800 metra i gjatë dhe 106 metra i lartë, i cili do të lundronte përgjithmonë në oqeanet e botës – duke mos qëndruar kurrë në një vend aq gjatë sa të mos mërziteshin ata që ndodheshin në të, transmeton Telegrafi.

“Anija Freedom do të jetë anija më e madhe e ndërtuar ndonjëherë”, tha Roger M. Gooch, drejtor dhe nënkryetar i Freedom Cruise Line International me seli në Florida.

Do të duhej të ishte pesë herë më e madhe se aeroplanmbajtësja më e madhe aktualisht në botë USS Gerald R. Ford. Në imazhet e krijuara me ndihmën e një programi kompjuterik, kjo anije duket si një lloj parkimi lundrues në 25 kate.

Në “Freedom Ship” duhet të ndërtohen edhe banesa, shkolla, spitale, galeri arti, dyqane, parqe dhe akuariume. Në krye të kësaj ‘godine’ do të jetë një aeroport me një pistë për aeroplanët e vegjël privatë dhe komercialë, që do të lejojë transportin e pasagjerëve apo dërgimin e ushqimit.

Dëshira e kompanisë që qëndron pas këtij projekti është që qyteti lundrues të ketë në bord 40,000 banorë të përhershëm, 30,000 vizitorë të përditshëm, 10,000 mysafirë të rastit dhe 20,000 anëtarë ekuipazhi dhe punonjës të institucioneve në anije.

Projekti u propozua për herë të parë në vitet e 90-ta. Pasqyron një vizion të një kolonie të lëvizshme oqeanike që nuk i nënshtrohet ligjeve të asnjë shteti, ku njerëzit mund të jetojnë, punojnë ose të gëzojnë pensionin e tyre pa asnjë kufizim.

Realizimi i këtij projekti është pritur prej kaq vitesh për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme për ndërtim. Supozohet se “Freedom Ship” do të kushtojë rreth 10 miliardë euro, ndërsa akomodimi në të duhet të kushtojë për person nga 175.000 euro deri në 10 milionë euro, në varësi të njësisë së përzgjedhur akomoduese. /Telegrafi/