Telegrafi

Anibar organizon shfaqjen e filmit HUMAN të YANN ARTHUS-BERTRAND në kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë

Anibar organizon shfaqjen e filmit HUMAN THE MOVIE në Kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë, pjesa e parë e filmit do të shfaqet me datën 07 maj në ora 18:00, pjesa e dytë e filmit me 14 maj në ora 18:00 dhe pjesa e tretë shfaqet me 21 Maj në ora 18:00.

HUMAN është një përmbledhje e ngjarjeve dhe imazheve për botën tonë, e cila ofron një zhytje në bërthamën e asaj se çka nënkupton të jesh njeri. Përmes këtyre ngjarjeve të mbushura me plot dashuri dhe lumturi, si dhe me urrejtje e dhunë, HUMAN na sjell ballë për ballë me Tjetrin, duke na bërë që të reflektojmë për jetët tona.

Prej ngjarjeve të përvojave të përditshme deri te takimet me jetët më të pabesueshme, këto takime prekëse ndajnë një sinqeritet të rrallë dhe vendosin theks në atë se çka jemi – anën tonë të errët, mirëpo edhe pjesën tonë fisnike, dhe pjesët të jetëve tona të cilat të gjithë i ndajmë.

TOKA jonë shfaqet përmes pamjeve ajrore në formën më madhështore të saj, e shoqëruar me muzikë, që rezulton në një poemë lirike për vlerësimin e bukurisë së botës sonë, e që na mundëson momente për të marr frymë thellë dhe për vlerësim të vetvetes.