Më 25 tetor u zhvillua ngjarja e lancimit të projektit të rëndësishëm “GENESIS”, një iniciativë për mbështetjen dhe zhvillimin e sektorit të animacionit në Kosovë, e realizuar përmes bashkëpunimit ndërmjet Anibar-it dhe Institut Français të Kosovës, me financim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës.
Ngjarjen e përshëndetën ambasadori i Francës në Kosovë, Shkëlqesia e Tij z. Olivier Guérot, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe drejtori ekzekutiv i Anibar-it, z. Vullnet Sanaja, të cilët vlerësuan rëndësinë e projektit GENESIS për fuqizimin e të rinjve kosovarë dhe për zhvillimin e industrisë së animacionit.
Ky projekt ofron trajnime në animacionin 2D dhe 3D, kurse të gjuhës frënge dhe punëtori për skenarizim, dizajn të zërit dhe post-produksion, duke synuar të forcojë aftësitë teknike dhe krijuese të pjesëmarrësve.
Pjesë e programit ishte edhe shfaqja e filmave të krijuar nga studentët e Akademisë së Animacionit, e cila tregoi talentin dhe përkushtimin e këtyre të rinjve të përzgjedhur për projektin.
Ndër të ftuarit ishin personalitete të rëndësishme nga institucionet qeveritare dhe kulturore, përfshirë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Projekti GENESIS, që do të zgjasë tetë muaj, synon të trajnojë 65 të rinj të talentuar kosovarë në teknika të avancuara të animacionit dhe t’i fuqizojë ata për të ndjekur një karrierë në sektorin kreativ.
Me fokusin në sipërmarrjen kreative, GENESIS është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë kulturore të Kosovës, duke krijuar një bazë të re të animatorëve dhe artistëve të rinj që do të kontribuojnë në ekonominë kreative të vendit dhe do të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/