Site icon Telegrafi

Anibar është shfrytëzues i përkohshëm i zyrës në kino-teatrin Jusuf Gërvalla

Anibar përmes Festivalit të Filmit të Animuar për shumë vite ka projektuar me qindra filma në kino-teatrin që ishte tërësisht jashtë funksionit që nga viti 1999. Gjatë gjithë kësaj periudhe, festivali ka bërë përpjekje të panumërta për ta mbajtur gjallë aktivitetin dhe funksionin e kino-teatrit. Për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme të funksionalizimit të kino-teatrit nga viti i kaluar Anibar i ka ofruar komunës së Pejës një model të ri të organizimit. Ky propozim konsistonte në bartjen e menaxhimit të kino-teatrit të komunitetit i pavarur i kulturës në Pejë.

Këtë model e kemi diskutuar disa herë më komunën dhe i kemi nxitur zyrtarët për veprim, ndërsa çdo herë na është dhënë përgjigje përkrahëse. Paralelisht kemi mobilizuar edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës e cila përkrah kinematë në Kosovë, Dokufestin, i cili ka përvojë të gjatë në menaxhimin e kinemave në Prizren në bashkëpunim me komunën, Forumin Kulturor, i cili ofron përkrahje profesionale për institucionet e pavarura të kulturës në gjithë Kosovën. Pjesë e këtij angazhimi ka qenë edhe përgatitje e projektit dhe planit të biznesit për funksionalizimin e kino-teatrit. Në të gjitha përpjekjet tona për të gjallëruar një hapësirë kulturore në qytet, jemi ndeshur me burrokracinë shpesh të pakuptimtë të komunës së Pejës.

Në diskutimet me komunën që kurrsesi nuk merrnin fund, dhe të sfiduar nga mungesa e zyreve dhe afrimi i kohës së festivalit, ne kemi nënshkruar një dokument mirëkuptimi me Drejtorinë e Kulturës për shfrytëzim të përkohshëm të zyrës brenda kino-teatrit. Për këtë qëllim është zhvilluar edhe procedura e evidentimit të inventarit dhe gjendjes së objektit. Në pritje të procedurave të dhënies së hapësirës komunale në shfrytëzim, të cilat komuna e Pejës është duke i zhagitur nga viti i kaluar, Anibar është vendosur në këtë zyre dhe paralelisht festivalit dhe shfaqjes së filmave në kino-teatër është duke i ofruar edhe këshilla profesionale Drejtorisë së Kulturës mbi çështjen e kinemasë dhe filmit. Duhet potencuar se Anibar nuk është e vetmja organizatë e shoqërisë civile e cila zhvillon aktivitetin e vet në hapësirat komunale.

Anibar, si pjesë e Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Pejë dhe e Forumit Kulturor të Kosovës është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta lokale dhe nacionale për funksionalizimin e hapësirave kulturore (me theks të veçantë kinemave) dhe zhvillimin e kulturës në qytetet e Kosovës. Angazhimi ynë rreth kino-teatrit Jusuf Gërvalla është në linjë me këto përpjekje dhe ndjek modele të zhvillimit kulturor nga vendet më të zhvilluara të botës. Dëshirojmë të sqarojmë opinionin se jemi maksimalisht të përkushtuar në ndjekjen dhe respektimin e përpiktë të të gjitha procedurave ligjore dhe jemi të vetëdijshëm që procesi i ankandit publik për shfrytëzimin e hapësirave të kino-teatrit duhet të jetë i hapur për të gjithë. Për këtë arsye, e ftojmë komunën e Pejës që sa më parë të zhvillojnë këtë procedurë dhe me këtë t’i japin fund të gjitha keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të mundshme.

Kino-teatri ka nevojë urgjente për një plan serioz menaxhimi dhe për një ekip të përkushtuar që do të shndërrojë atë në hapësirën më atraktive të kulturës në qytet. Ne besojmë që këtë rol më së mirë do ta luante sektori i kulturës së pavarur në qytet. Modeli ynë që përfshin kapacitetet lokale të kulturës, potencialin e Forumit Kulturor të Kosovës, përkrahjen profesionale të Qendrës Kinematografike të Kosovës, përvojën e Dokufestit nga Prizreni besojmë që është më i përshtatshmi për të funksionalizuar kino-teatrit. Por, jemi të gatshëm t’i urojmë përzgjedhjen një entiteti tjetër, nëse në proces të ankandit të hapur për të gjithë do të ofrojë model më të mirë të menaxhimit se Anibar.

E gjithë kjo situatë është në duart e komunës së Pejës. Çdo vonesë në realizimin e ankandit për dhënien në shfrytëzim të kino-teatrit dhe në zbatimin e planit të menaxhimit do të vazhdojë të prodhojë lajme të pasakta dhe keqkuptime.
 

Exit mobile version