Telegrafi

Anglia hakmerret ndaj Kroacisë

Dy gola nga Frank Lampard dhe dy të tjerë nga Steven Gerrard, kanë ndihmuar Anglinë të marrë hak nga Kroacia, e cila mposhti këtë ekip në kualifikimet për Euro 2008 pikërisht në Wembley duke e lënë jashtë asaj gare.

Ashtu edhe siç premtuan, anglezët e kthyen humbjen e sipërpërmendur në një motiv shtesë, duke shkatërruar mysafirët. Serinë e golave për vendasit e hapi mesfushori Frank Lampard duke shënuar nga penaltia pas vetëm shtatë minutash lojë.

Të lehtësuar nga avantazhi prej një goli, anglezët sulmuan dhe shpejt arritën edhe ta dyfishojnë atë, kësaj here me anë të kapitenit të Liverpoolit, Steven Gerrard, dhjetë minuta më pas (17’).

Pavarësisht dy golave, vendasin vazhduan të sulmojnë edhe në pjesë të parë, por goli tjetër erdhi vetëm në pjesën e dytë, edhe kësaj here nga Lampard (59’). Për të dytën herë në listën e golashënuesve më vonë u gjend edhe Gerrard (67’).

Për kroatët një gol të vonshëm e shënoi sulmuesi i Arsenalit, Eduardo da Silva (72’), para se sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, të mbyllë pesëshen e anglezëve (78’).

Anglia ka tetë fitore nga tetë ndeshje, dhe grumbullon 24 pikë me vetëm edhe dy ndeshje të mbetura, që e kualifikojnë atë për në Afrika e Jugut 2010.

Kroacia pavarësisht humbjes mbetet e dyta me 17 pikë, kjo falë barazimit që kanë luajtur Bjellorusia dhe Ukraina në takimin tjetër të grupit 6.