Telegrafi

Anglia fiton me rezultat bindës ndaj Bullgarisë, ndryshon tabela e Grupit A

Anglia vs Bullgaria (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Anglia e ka mposhtur Bullgarinë me rezultat bindës 4-0 në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

‘Tre Luanët’ kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Harry Kane në minutën e 24-të, pas asistimit që pranoi nga Raheem Sterling.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të Anglisë, derisa në pjesën e dytë u shënuan edhe tre gola të tjerë.

Anglia vs Bullgaria (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Sulmuesi i Tottenham Hotspur ishte tejet i disponuar për lojë, derisa realizoi golin e tij të dytë dhe të dytin për Anglinë nga ana e penalltisë (50’).

Pesë minuta më vonë, Raheem Sterling dhe Kane i ndërruan vendet, për ta thelluar epërsinë e anglezëve.

Ylli i Spurs arriti që ta kompletonte het-trikun e tij në minutën e 73-të, e që ishte penalltia e dytë në ndeshje për ‘Tre Luanët’.

Anglia vs Bullgaria (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Më 10 shtator, Anglia e pret Kosovën në ‘St Mary’s Stadium’ të Southamptonit, e që do të jetë një ndeshje e vështirë për tanët.

Pas kësaj fitoreje, Anglia është liderë e Grupit A me nëntë pikë, një më shumë se Kosova, derisa Republika e Çekisë ka gjashtë, Mali i Zi dhe Bullgaria me dy. /Telegrafi/