Vetëm 18% e qytetarëve në Maqedoni kanë qasje në sistemin e kanalizimit. Përveç kësaj, vendi për një kohë të gjatë përballet me problem ekologjike, siç janë deponitë, tha zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev. Për zgjidhjen e problemit me grumbullimin e mbeturinave, ai paralajmëroi formimin e deponive rajonale në vend.
“Qasja lokale në zgjidhjen e problemit me deponitë në Maqedoni do të bëhet përmes grumbullimit rajonal. Përkatësisht do të kemi qasje tjetër përmes së cilit do të mundohemi të zgjidhim problemin me deponitë, e dini që gjendja ishte kritike në disa qytete të Maqedonisë. Mendojmë se në këtë mënyrë do të ishte interesantë që të bëhen partneritete publiko-private, në të cilat edhe shteti do të japë kontribut, për riciklimin e gjitha mbeturinave, përkatësisht që sot e kemi si fenomen negativ”, u shpreh Koço Angjushev.
Angjushev tha se fillimisht do të përcaktohen lokacionet për deponitë rajonale, në të cilat më pas do të instalohen pajisje të cilat do të bëjnë selektimin e mbeturinave dhe më pas të bëhet përpunimi i tij, që do të prodhojë energji dhe lëndë djegëse për përdorim industrial.
Sa i përket menaxhimit me mbeturinat, Dame Dimitrevski nga Fakulteti teknologjik-metalurgjik, tha se janë bërë analiza për sasinë e mbeturinave dhe teknikave.
Megjithatë, sipas profesorit universitar, Xhener Zanbak, deponitë nuk janë zgjidhja më e mirë, sepse, sipas tij, selektimi duhet të bëhet që në shtëpitë tona.
“Deponitë nuk janë zgjidhja në menaxhimin e mbeturinave. Ne duhet të ngremë ndërgjegjen për selektimin e mbetjeve që në burim, në shtëpi. Këtu duhet të fillojmë, për të minimizuar sasinë e mbeturinave në deponi”, tha Zanbak.
Për tema mbi ekologjinë dhe menaxhimin me mbeturinat do të flitet deri më datë 25 mars, në hapësirat e Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik në Shkup, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Gredit 2018”, e cila ka bërë bashkë shkencëtarë dhe hulumtues nga rreth 20 shtete të botës.