Site icon Telegrafi

Angjushev pas futjes në listën e zezë: Do ta apeloj vendimin

Gjatë mandatit tim në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2017-2020, kam punuar me respekt të plotë të të gjitha ligjeve dhe dispozitave kushtetuese të shtetit, si në interes të ekonomisë së vendit ashtu edhe të parimeve demokratike mbi të cilat mbështetet vendi ynë, tha Koço Angjushev pasi ditën e sotme u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Lexo po ashtu Angjushev në listën e zezë amerikane

“Katër vite pas tërheqjes sime të vetëiniciuar nga Qeveria, nuk ka asnjë proces gjyqësor për asnjë segment të punës sime, për arsye që nuk kanë bazë për të. Në Maqedoni kam të punësuar 1.000 persona, ndërsa në periudhën e mandatit tim kompanitë e mia kanë shënuar vetëm rënie dhe humbje, të cilat janë të regjistruara edhe në shërbimet financiare shtetërore, kam kompani në Britaninë e Madhe, Gjermani, Holandë dhe SHBA, dhe jam taksapagues amerikan, pra paguaj taksa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam partner dhe bashkëpunëtor me subjekte dhe persona të rëndësishëm ekonomikë në SHBA”, thotë Angjushev.

Derisa isha zv. kryeministër në qeverinë e Maqedonisë, shton Angjushev, fuqimisht kam avokuar dhe punuar për anëtarësimin e vendit në NATO, kam përkrahur anëtarësimin e saj në BE dhe ende i mbështes të gjitha aktivitetet që ndërmerren në këtë drejtim shton.

“Mohoj me forcë të gjitha dyshimet e shprehura në dokumentin e publikuar nga Departamenti i Shtetit i nderuar dhe dua të njoftoj se do ta apeloj vendimin dhe do të përdor të gjitha mjetet juridike të specifikuara në vetë dokumentin në drejtim të tërheqjes së këtij vendimi, të cilin unë e konsiderojnë të panevojshme në kuadër të angazhimeve të miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të luftuar korrupsionin”, thuhet në njoftimin e Angjushev./Telegrafi/

Exit mobile version