Site icon Telegrafi

Angjelin Preljocaj, në Tiranë për filmin e tij ‘Polina’

Burimet nga Ambasada Franceze pohojnë se koreografi me famë botërore, Angjelin Preljocaj, “do të vijë në Tiranë më 23 mars”. Ndërkohë, shfaqja e filmit të tij “Polina” u njoftua nga këshilltarja për Kulturën e Ambasadës franceze, Rose-Anne Bisiaux, në një konferencë për mediat që u mbajt në kuadër të aktiviteteve kulturore të “Pranverës frankofone”. Preljocaj këtë herë do të vijë në Tiranë së bashku me bashkëshorten e tij, Valerie Muller, deklaruan organizatorët e “Pranverës frankofone”.

Filmi “Polina” simbolikisht pasqyron jetën e koreografit me origjinë shqiptare, Angjelin Prejlocaj, por subjekti tregon sfidat e një balerini të universalizuar në personazhin e një vajze ruse, Polinës, e cila kishte pasion baletin dhe po ushtrohej rreptësisht në baletin klasik. Frymëzimi ka qenë historia e një balerine të re (Anastasia Shevtsova) që erdhi nga një qytet i ftohtë i Rusisë drejt Francës, ku mësoi baletin me sakrifica më të mëdha sesa e mendonte. Në film “vizatohet” një portret psikologjik i një gruaje të re që zbulon botën dhe postulatet mbi kapjen e vallëzimit modern nga kamera. Filmi krijon sekuenca të mahnitshme vallëzimi, ku producentët kanë arritur at bëjnë kamerën pjesë të koreografisë.

Po ashtu edhe Angjelin Preljocaj i lindur në Francë, nga prindër shqiptarë, i nisi studimet me baletin klasik, përpara se të merrej me kërcimin bashkëkohor pranë Karin Waehner. Në 1980-n, ai shkon në New York për të punuar me Zena Rommet dhe Merce Cunningham, e më pas vazhdon studimet e tij në Francë. Në vijim ai i bashkohet me Dominique Bagouet deri në çastin kur krijoi kompaninë e tij të parë në vitin 1985. Ai ka krijuar deri më sot koreografitë e 50 pjesëve të baletit, nga solot deri tek format më të mëdha.

“Polina” është dhënë premierë në muajin shtator të 2016-s në Pavillon Noir d’Aix në Provence, në Francë. Ky është filmi i parë me metrazh të gjatë i Angjelin Preljocajt, i realizuar me bashkëshorten e tij Valerie Muller. “Polina, të vallëzosh jetën” ka ardhur e përshtatur nga libri me ilustrime nga Bastien Vivès. Për Preljocajn ky nuk është i vetmi film; ai ka realizuar një seri filmash me motive të koreografisë, që kryesisht janë me metrazh të shkurtër, si “Le postier, Idées noires”, “Un Trait d’Union”, “Annonciation, si dhe “Borëbardha”.

Bashkëshortja e Angjelin Preljocajt ka rrëfyer disa nga sekretet e realizimit të filmit në një intervistë për mediat franceze. Ajo shprehet se: “Ekzistojnë lloje të ndryshme të sekuencave dhe llojeve të ndryshme të vallëzimit; ka sekuenca ku punojnë kërcimtarë të cilët i filmuam në mënyrë të veçantë, dhe sekuencat ku Polina improvizon valle në natyrë ose në qytet. Dueti që ajo bën në skenë është filmuar nga pikëpamja e publikut, por sikur të ishin në skenë si kërcimtarë. Me të vërtetë kemi menduar të gjitha mënyrat për të filmuar trupin dhe koreografinë.” /Shqiptarja/

Exit mobile version