Fragmentimi gjeoekonomik është një rrezik serioz për perspektivat afatmesme të rritjes globale, ndërsa veçanërisht për ekonomitë e vogla dhe shumë të hapura siç është ajo e Maqedonisë. Politikëbërësit dhe kompanitë eksportuese duhet të përgatiten për realizimin e mundshëm të rreziqeve gjeo-ekonomike dhe të rrisin qëndrueshmërinë e ekonomisë vendase, thotë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në kolumnën e saj për edicionin “Top 100 eksportuesit”.
Siç shton Angelovska-Bezhoska, të parat duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të zbutur pengesat strukturore në faktorët e rritjes afatgjatë, përmes masave të tregut të punës, investimeve, produktivitetit dhe cilësisë së institucioneve. Sektori privat duhet të drejtohet drejt investimeve më cilësore, në pronësi intelektuale, kërkim-zhvillim dhe inovacione. Përfshirja e mëtejshme në zinxhirët e furnizimit global është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht në fazat më komplekse dhe më të sofistikuara të ciklit të prodhimit, të cilat do të mundësojnë diversifikimin e mëtejshëm të eksporteve, transferimin e teknologjive dhe shkëmbimin e njohurive dhe aftësive, si dhe rritjen e shkallës së kompleksitetit të produkteve të eksportit”, thekson guvernatorja.
Ajo shpjegon se rritja e lartë e integrimit tregtar të ekonomisë sonë ka një ndikim pozitiv të dukshëm në karakteristikat e ekonomisë, veçanërisht në eksport, por pas një periudhe të caktuar vërehet një ndryshim më i ngadalshëm i shkallës së kompleksitetit ekonomik të ekonomisë vendase.
“Ky konstatim bazohet në të dhënat për indeksin e kompleksitetit ekonomik të Harvardit, sipas të cilit ekonomia e Maqedonisë aktualisht është vetëm një shkallë më e lartë se rangimi në vitin 2000, ndonëse progresi bëhet më i dukshëm nga viti 2015 e tutje. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja e produkteve me vlerë të shtuar më të lartë në eksportet e Maqedonisë është rritur ndjeshëm në 20 vitet e fundit, nga rreth 11 për qind në vitin 2004, në rreth 60 për qind në shtatë muajt e parë të vitit 2023. Por, ky trend është ngadalësuar në vitet e fundit, që do të thotë se nevojitet një nxitje e re për përmirësim, e cila duhet të vijë pjesërisht nga kompanitë vendore eksportuese”, thekson guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
Rritja e eksportit të produkteve me vlerë të shtuar më të lartë, nënvizon guvernatorja, është veçanërisht e rëndësishme për faktin se ka një lidhje pozitive midis kompleksitetit të eksporteve të një vendi dhe nivelit të të ardhurave të tij.