Ekonomia jonë, e vogël dhe e hapur, është shumë e varur nga zhvillimet në ekonominë evropiane. Për momentin nuk pritet recesion në Bashkimin Evropian. Banka Qendrore Evropiane, pavarësisht situatës së re me Ukrainën, pret që BE-ja të rritet këtë vit, edhe pse më e ulët se sa pritej fillimisht. Megjithatë, rreziqet janë të pranishme dhe ato varen nga zhvillimi i ngjarjeve, sanksionet dhe kohëzgjatja e krizës, tha për RTVM, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.
“Jemi një ekonomi e hapur, me lidhje shumë të forta me atë evropiane. Ekonomia evropiane është partneri ynë më i rëndësishëm tregtar, ku eksportojmë 77% të eksporteve. Banka Qendrore Evropiane ka dalë me tre skenarë paraprak, në varësi të zhvillimeve aktuale në Ukrainë. Por, dua të theksoj se kjo situatë është realisht e pasigurt dhe e ka të vështirë për çdo bankë qendrore të bëjë projeksione në vazhdimësi, pikërisht për shkak të pasigurisë së madhe”, thotë Angelovska-Bezhoska.
Guvernatorja thotë se deri tani flitet për tre kanale përmes të cilave lufta ruso-ukrainase mund të godasë ekonominë evropiane.
“Kanali i parë është konsumi, për shkak të lëvizjeve rritëse të çmimeve të produkteve parësore – energjisë dhe ushqimeve. Inflacioni më i lartë do të nënkuptojë të ardhura reale të disponueshme të familjeve më të ulëta që do të ndikonin në konsumin privat. Por, sipas disa analistëve, ky efekt mund të zbutet përmes kursimeve të akumuluara në periudhën e pandemisë”, thekson Angelovska-Bezhoska./Telegrafi/