Telegrafi

Angellov: U bëj thirrje bujqve dhe qytetarëve të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov u bëri thirrje bujqve dhe qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me përdorimin e bombolave dhe pajisjeve të gazit.

Sipas tij në të shumtën e rasteve bujqit përdorin pajisje të gazit për mbrojtjen e të mbjellave, por kjo përbën rrezik për shkaktimin e zjarreve.

Angellov theksoi gjithashtu se edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, sidomos ata që kanë shtëpi, apo shtëpi pushimi.

“Bujqit në më shumë lokacione në vend, përdorin pajisje gazi të cilat herë pas herë lëshojnë zë për frikësimin e zogjve, të cilët dëmtojnë të mbjellat e tyre. Pajisjet e këtilla paraqesin rrezik të madh për shkaktimin e zjarreve në të hapur, të cilat më pas shndërrohen në zjarre pyjore. Veçmë kemi së paku një rast të konfirmuar se si ka ardhur deri te shpërthimi i bombolës së gazit dhe falë ndërhyrjes së zjarrfikësve lokalë shpejt u shua dhe nuk u shndërrua në zjarr më të madh.

Apeloj të gjithë ata që shfrytëzojnë pajisje gazi të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm. Ose të mos i shfrytëzojnë, ose nëse i shfrytëzojnë të jenë në përputhje me standardet. Lënia e bombolave të gazit në diell është rrezik i madh dhe rrezik potencial për përhapjen e zjarrit”, tha Stojançe Angellov, drejtor i QMK-së.