Telegrafi

Angellov: Në Maqedoni aktualisht ka tre zjarre aktive

Herët në mëngjes, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, ka kryer monitorim të tre zjarreve aktive me një helikopter policor.

Zjarri më i madh është në një pjesë të zonës së poligonit të Krivollakut, ku aktualisht po punojnë për shuarjen e zjarrit, disa pjestarë të ushtrisë dhe një helikopter policor.

“Magazinat ushtarake janë të siguruara, plotësisht të sigurta! Zjarri i dytë është një zjarr i ri që është vërejtur gjatë monitorimit të zjarreve sot në mëngjes me helikopter dhe ndodhet në atarin e fshatit Kalugjericë afër rrugës kryesore Radovish – Strumicë, ku është pylli i dushkut dhe ka mundësi zgjerimi. Në këtë zjarr janë dërguar ekipet e Njesitit Territorial kundër Zjarrëve nga Radovishi me një automjet për shuarjen e zjarreve”, tha Angellov.

Zjarri i tretë sipas informacioneve të QMK-së, është zjarri që u ndez dje në atarin e fshatit Trebeçinë në komunën Vasilevë.

“Zjarri ka ulur intensitetin e tij gjatë natës, ndërsa mëngjesin e sotëm në disa vende ka tym, por nuk ka zjarr aktiv. Në rast nevoje për veprim shtesë ajror pas një zjarri, kemi në dispozicion edhe mjete të tjera”, tha Angellov.