Site icon Telegrafi

Angelina Einhorst përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin evropian për punë të Jashtme, Angelina Eichhorst, do të jetë personi kyç për ndërmjetësim në fazën e ardhshme të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Siç raporton “Vecernje Novosti”, detyra e drejtoreshës së EEAS-së, Angelina Einchhorst, do të jetë përshpejtimi dhe intensifikimi i bisedimeve mes përfaqësuesit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura, transmeton Telegrafi.

Sipas kësaj të përditshme serbe, plani është që gjatë muajve të ardhshëm të jetë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në parimin e “shuttle diplomacy”, duke realizuar udhëtime të shpeshta Bruksel-Prishtinë-Beograd, dhe duke tentuar të pajtojë qëndrimet e të dy palëve.

Këto takime nganjëherë do të jenë publike, por me raste do të zhvillohen larg syve të publikut.

Sipas kësaj të përditshme, Einchhorst “kur të jetë e nevojshme dhe të ketë hapësirë”, do të sinjalizojë që në Bruksel po organizohen takime në nivelin më të lartë politik, që do të duhej gjatë muajve të ardhshëm të jenë më të shpeshta.

Sipas pretendimeve të “Novosti”, Einchhorst deri më tani nuk ka qenë në favor për pikëpamjet e Beogradit, por që ajo tashmë është përfshirë në bisedime.

Besohet se ajo ka ndërmjetësuar gjatë vikendit të kaluar në bisedimet mes përfaqësuesve të Prishtinës, Avni Arifi dhe atij të Serbisë, Marko Gjuriq. /Telegrafi/

Exit mobile version