Ilhan Omar po ia ndryshon pamjen Kapitolit. Një nga dy gratë myslimane, të parat që shërbejnë në Kongresin amerikan, e mbulon kokën me shami. Por teknikisht kjo është e ndaluar sipas rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kongresi i 116-ë do të jetë ndër më të larmishimit. Tani që demokratët morën kontrollin e organit të tyre legjislativ, ata do t’i ndryshojnë rregullat në mënyrë që ta reflektojnë këtë realitet.
Rregulli që do ta kishte ndaluar zonjën Omar të mbante shami koke, ose hixhab, u vendos para 181 vjetësh kur përmbajtja e Kongresit dukej shumë ndryshe. Gratë dhe pakicat nuk e kishin mundësinë të shërbenin si anëtarë të tij. Kur ligjvënësi përcaktuan se “çdo anëtar duhet ta ketë kokën të pambuluar gjatë seancave të Kongresit”, ata i referoheshin praktikës së zakonshme të burrave në shekullin e 19-të për mbajtjen e kapeleve. Rregulli nuk ishte vendosur për të diskriminuar pakicat fetare.
Megjithatë edhe atëherë ky rregull shkaktoi debate. Disa anëtarë argumentuan se veshja e kapeles ndiqte një traditë të rëndësishme në Parlamentin Britanik që simbolizonte pavarësinë nga monarku. Të tjerë dhanë një argument edhe më praktik, duke pyetur ku mund t’i linin kapelet.
Megjithatë rregulli mbeti. Në seanca ndalohen gjithashtu cigaret, ushqimi, pijet dhe celularët.
Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë një avantazh ndaj kolegëve të senatit: ata janë lejuar gjithmonë të sjellin fëmijët në sallën e seancave.
Mbulimi i kokës është përdorur edhe në shenjë proteste. Në vitin 2012, kongresmeni demokrat, Bobby Rush i Ilinoit u përzu nga salla e seancës pasi po e mbante në kokë kapuçin e një pulovre, si shenjë proteste pas vdekjes së adoleshentit afrikano-amerikan Trayvon Martin, që u vra nga George Zimmerman dhe kishte kapuçin në kokë kur u vra.
Në Twitter, Ilhan Omari që ka lindur në Somali tha se do të kërkonte t’i jepej fund ndalimit.
Së bashku me kongresmenin nga Masaçusets Jim McGovern dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nga Kalifornia, Omar po paraqet një propozim sipas së cilit, të bëhet një përjashtim nga ky rregull për mbulimin e kokës për arsye fetare ose mjekësore. /voa/