Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushtaku-Sadriu, ka thënë të premten se shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka dështuar.
Sipas saj, kjo dëshmon se “sa e ç’orientuar është diplomacia e Kosovës aktualisht”.
“Kosova paguan çmimin e moskoordinimit. Dështimi i shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për antarësim në Këshillin e Evropës dëshmon se sa e ç’orientuar është diplomacia e Kosovës aktualisht”, ka shkruar Lushtaku-Sadriu në Facebook.
Tutje, ajo ka thënë se katër shtete njohëse e aleate të Kosovës: Italia, Franca, Gjermania dhe Britania kanë votuar kundër.
“Dëshmi e pastër që aplikimi nga Kosova ka qenë vendim i pakoordinuar me shtetet mike”, ka përfunduar ajo.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. /Telegrafi/