Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se vendimi i PZAP-së për rinumërimin e votave në Prishtinë e Prizren është vendim skandaloz, tërësisht politik dhe pa asnjë bazë juridike.
“Është vendim që synon pezullimin e vullnetit të qytetarëve. Është vendim absurd që kërkon edhe rinumërimin e votave me kusht dhe postë, ku ne ende nuk i kemi numëruar. Kërkoj nga QNR që të vazhdojë numërimin e votave me kusht siç ka qenë i planifikuar”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka kërkuar që të mos futet në rend dite diçka që është ende në shqyrtim ligjor.
“Pa vendosur Gjykata Supreme, nuk mund të merret vendimi nga KQZ-ja për vendimin e PZAP-it për rinumërim”, ka thënë Rrustemi.
Ndërkaq sot paradite Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që të rinumërohen të gjitha votat në Prishtinë dhe Prizren./Telegrafi/