Telegrafi

Anëtari i arratisur i kartelit të El Chapo-s kapet në kishën meksikane, në një ceremoni ku po merrte pjesë edhe nipi i “mbretit të drogës”

Një anëtar i arratisur i kartelit të Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán u arrestua nga sigurimi meksikan në mes të një pagëzimi në Maas.

Siç edhe shihet në disa pamje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, José Bryan Salgueiro Zepeda u mor në një kishë në Culiacán, Sinaloa, të premten.

Salgueiro Zepeda është një nga drejtuesit e supozuar të fraksionit kriminal të drejtuar nga familja, i njohur si “Los Salgueiro” në shtetin verior të Chihuahua.

Pamjet thuhet se tregojnë anëtarin e kartelit Sinaloa, i cili njihet edhe si ‘El 90’ dhe ‘El Brayan’, duke qëndruar pranë dy grave dhe një burri tjetër, i cili u identifikua nga shtypi meksikan si nipi i El Chapo.

José Bryan ‘El 90’ Salgueiro Zepeda u arrestua teksa mori pjesë në një ceremoni pagëzimi në një kishë në Sinaloa, Meksikë.

Dhe prifti që po kryente ceremoninë fetare e pyeti grupin: “A hiqni dorë nga Satanai?” përpara se një nga gratë pranë Salgueiro Zepeda të përgjigjej: “Po, unë heq dorë”.

Më pas, një ushtar i maskuar u shfaq papritmas dhe e kapi Salgueiro Zepeda nga krahu përpara se një tjetër ushtarak të hynte brenda dhe ta tërhiqte më tej.

Ndërkohë, vë në pah DailyMail, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Shtetëror të Chihuahua-s tha se ai pranoi se ishte anëtar i organizatës kriminale Los Salgueiro dhe udhëheqës i rangut të lartë të një grupi në Chihuahua.

Salgueiro Zepeda kërkohej me një urdhër arresti të pazgjidhur për rolin e tij të dyshuar lidhur me rrëmbimin e një individi në Chihuahua më 19 maj 2020.

Organizata e drejtuar nga familja Los Salgueiro udhëhiqet gjithashtu nga Ruperto Salgueiro-Nevarez, Heriberto Salgueiro-Nevarez dhe José Salgueiro-Nevarez, për të cilët Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në nëntor të vitit 2021 ofroi tre shpërblime prej 5 milionë dollarësh për arrestimet e tyre.

Të tre akuzohen se vepronin në Sinaloa dhe Chihuahua dhe trafikonin fentanil, heroinë, kokainë, metamfetaminë dhe marihuanë në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë vëllai i tyre, Noel ‘El Flaco’ Salgueiro-Nevarez, u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2019 për t’u përballur me akuzat për trafik droge.

Autoritetet meksikane pretendojnë se familja trafikonte një mesatare mujore prej 15 ton marihuanë dhe dy ton kokainë në Shtetet e Bashkuara.

El Chapo, i cili bashkëthemeloi kartelin Sinaloa dhe thuhet se fitoi mbi 12 miliardë dollarë nga trafikimi i drogës, po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë super maksimale në Firence, Kolorado. /Telegrafi/