Anëtari i KQZ-së nga radhët e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ibrahim Selmanaj ka deklaruar se partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka nevojë për pastrim të listave.
I pyetur në emisionin “KALLXO Pernime” lidhur me kandidimin e Pal Lekajt në zgjedhjet e reja ndonëse është me aktakuzë, ai thotë se do të jetë i sanksionuar si të gjithë politikanët e tjerë.
“Pse mos të pastrohet edhe AAK-ja, në qoftë se edhe brenda AAK-së janë vendos filtra edhe pse një kohë e shkurtë… Në qoftë se dr. Pali gjendet me aktakuzë dhe qysh e parasheh ligji do të jetë i sanksionuar sikurse gjithë të tjerët, pa asnjë diskutim. Vjet nuk e ka pengu askënd, sot është krijua një situatë tjetër, e duhet me respektua”, u shpreh ai.
Në emisionin e sotëm është diskutuar me vendimmarrësit e KQZ-së.
Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Arianit Elshani nga PDK, Ibrahim Selmanaj nga AAK, Sami Kurteshi nga LVV dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme më 14 shkurt.
Kurse, sot, në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.
Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.
Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.