Në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi me Delegacionin e Komisionit të Përhershëm për Çështje Evropiane të Parlamentit të Mbretërisë së Holandës të paraprirë nga kryetari i Komisionit Hajke Veldman, u këmbyen informata dhe mendime në lidhje me agjendën tonë evropiane dhe reformat që vijojnë në rrugën kah përcaktimi i datës për negociata me BE-në.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi shprehu kënaqësi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme të Mbretërisë së Holandës ndaj vendit tonë nëpërmjet projekteve të ndryshme dhe shprehu shpresë se, në periudhën e ardhshme komunikimi dhe bashkëpunimi parlamentar do të intensifikohet në një nivel më të lartë.
Mysafirët nga Mbretëria e Holandës, anëtarët e Komisionit të Përhershëm për Çështje Evropiane dhe kryetari i Komisionit, Hajke Veldman, falënderuan dhe shprehën kënaqësi për takimin me Kryetarin Xhaferi, si edhe për mundësinë të informohen drejtpërdrejtë nga kryetari për proceset reformuese që janë në kompetencë të Kuvendit. Kryetari i Komisionit, Veldman, uroi për zbatimin e suksesshëm të ndryshimeve kushtetuese dhe për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, si edhe për zgjedhjet presidenciale të zbatuara me sukses dhe shprehu gatishmëri në emër të komisionit që e kryeson se do të mbajnë debat të frytshëm dhe konstruktiv në Parlamentin holandez ku para kolegëve të vet do i prezantojë të gjitha informatat dhe mendimet që i ka marrë në lidhje me agjendën tonë evropiane dhe me implementimin e saj.