Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka hequr reciprocitetin e vënë ndaj Serbisë nga Qeveria Kurti, por kundër këtij vendimi në mbledhje votuan përfaqësuesit e AAK-së.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi nuk e dhanë votën për heqjen e reciprocitetit.
Lidhur me votimin kundër këtij vendimi të anëtarëve të qeverisë nuk është deklaruar askush nga anëtarët e kabinetit qeveritar të AAK-së, e as vetë kryeministri Hoti.
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, qeveria e të cilit në nëntor të vitit 2018 e vendosi tarifën 100% për mallrat e Serbisë, e kishte kritikuar ashpër ish-kryeministrin Albin Kurti për heqjen e tarifës për lëndën e parë që vjen nga Serbia, por i kishte ofruar mbështetje nëse atë do ta përdorte për ta marrë njohjen finale nga Serbia. Ndërsa, për reciprocitet kishte thënë se të njëjtën e kishte bërë edhe ai ndaj Serbisë.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka votuar për të hequr masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Këto masa u vendosën më 1 prill nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë./Telegrafi/