Telegrafi

Von der Leyen: Pavendosmëria e BE -së “rrezikon” pozicionin e saj në Ballkan

BE-ja është si të luash në Ligën e Kampionëve, tha një zyrtar në Bruksel kohët e fundit. Ky mesazh do të nënkuptonte se nuk është e lehtë të fitosh anëtarësimin në bllok.

Si rrjedhojë këto deklarata vijnë derisa për vite shtetet e Ballkanit Perëndimor janë përpjekur të ngjisin shkallët e pranimit në BE, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e pranoi gjatë një samiti në Slloveni të mërkurën se pritja e gjatë po shkaktonte “padurim” dhe “zhgënjim”.

Mungesa e një vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë “po rrezikonte pozitën dhe fuqinë tonë në rajon”, paralajmëroi ajo.

“Ne duam Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian”, theksoi von der Leyen.

Samiti në Slloveni u përcoll me takime të ndryshme, ku udhëheqësit e BE-së u takuan me homologët e tyre nga Shqipëria, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Megjithatë ky samit nuk rezultoi në vendimin për zgjerimin e BE-së, por për një “riafirmim” të lidhjeve.

Von der Leyen tha se ndonëse kishte pasur progres nga shtetet e Ballkanit, kishte akoma për të bërë në luftimin e korrupsionit dhe reformave ekonomike.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pranoi se nuk ishte sekret që 27 shtetet anëtare nuk ishin dakord për kapacitetin e bllokut për të marrë anëtarë të rinj.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia të gjitha kanë “statusin e kandidatit”, megjithëse disa vende janë më të avancuar në proces se të tjerët. Bosnja është ende një kandidate potenciale, ndërsa Kosova as nuk njihet si shtet nga disa anëtarë të BE -së./Telegrafi/