Telegrafi

Anëtarësimi në BE edhe vitin e ardhshëm do të jetë prioritet në politikën e jashtme të Maqedonisë

Ngjarjet kryesore dhe aktivitetet kryesore të politikës së jashtme gjatë vitit 2017 në vend dhe rajon, si dhe synimet për vitin e ardhshëm, kanë qenë në fokusin e fjalimit të ministrit për punë të jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në ceremoninë tradicionale të vitit të ri dhe krishtlindjeve të korit diplomatik në vend.

“Anëtarësimi në BE mbetet prioritet kyç i politikës tonë të jashtme. Sinqerisht shpresojmë se vullneti ynë politik dhe orientimi reformator, sëbashku me përkrahjen e miqve dhe partnerëve tanë, do të na sjellë rekomandim të pakusht për fillim të bisedimeve qasëse pranverën e ardhshme. Kjo gjë është para së gjithash në interes të qytetarëve tanë, por gjithashtu edhe në interes të shteteve të rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Dimitrov.

Në këtë kontekst është theksuar edhe vendosmëria e Maqedonisë për integrime euro-atlantike, por edhe për kontribut më të madh në plan multi-lateral në të cilin Maqedonia bën hapa të rëndësishëm, si ratifikimi i Marrëveshjes klimatike të Parisit dhe asaj të Këshillit të Evropës – Konventa e Stambollit për parandalim dhe luftë të dhunës ndaj gruas dhe dhunës familjare, ratifikimi i së cilës pritet së shpejti./Telegrafi/