Telegrafi

Andy Murray fitoi Mastersin në Shanghai

Pas suksesit të javës së kaluar, ku mundi në finalen e Pekinit bullgarin Grigor Dimitrov, tenisti britanik konfirmoi sërish formën e shkëlqyer, teksa fitoi Mastersin e parafundit të sezonit pa humbur asnjë set.

Numri 19 i botës Roberto Bautista – Agut, pasi mposhti ditën e shtunë në vetëm dy sete numrin 1 të botës Novak Djokovic provoi me të gjitha mënyrat për të rivalizuar me 29-vjecarin skocez, sidoqoftë Murray i rezistoi të gjitha sulmeve të tenistit iberik.

Britaniku triumfoi me rezultat 2:0, përkatësisht në sete (7-6, 6-1).

Pas titujve të fituar në vitet 2010 e 2011 pra ky është trofeu i tretë në Shanghai për tenistin britanik, që ngjitet në kuotën 13, për sa i përket turneve Masters, ndërsa Roberto Bautista – Agut në krahun tjetër falë 600 pikëve të grumbulluara nga finalja në Kinë do të rikthehet përsëri mes 15 tenistëve më të mirë të botës. /Telegrafi/